Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke i kërkuar Kuvendit të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend.
“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po përcjellë me vëmendje zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës si protestat qytetare dhe dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave me shumicë Serbe, paralajmërimet për bojkot të institucioneve dhe shkëputjen e marrëdhënieve dhe komunikimit zyrtar me institucione të nivelit qendror, etj. KDI vlerëson se këto janë mjaftueshëm zhvillime të cilat kërkojnë vëmendjen e institucioneve të Kosovës, në këtë rast Kuvendit”, shkruhet në letër.
“Në bazë në Nenit 38 të Rregullores së Kuvendit lidhur me mbledhjet e jashtëzakonshme për shqyrtimin e çështjeve të ngutshme, KDI vlerëson nevojën që Kuvendi i Kosovës të ftoj një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend. Kjo seancë e jashtëzakonshme duhet të shërbej nevojën për një qasje të koordinuar konsensuale të skenës politike dhe institucionale për të parandaluar krijimin e vakumit institucional”, shkruhet më tej.
KDI shkruan se ka besim në vullnetin dhe angazhimin e deputetëve që t’i kontribuojnë situatës aktuale me rekomandime dhe veprime konkrete ndaj institucioneve të vendit për të adresuar këto zhvillime dhe për të rikthyer normalitetin e jetës qytetare dhe asaj institucionale.
“Duke ditur rolin dhe përgjegjësitë e deputetit dhe grupit parlamentarë, ne përmes kësaj letre direke ju bëjmë thirrje që të angazhoheni qoftë në kapacitet individual apo grupimit parlamentar për të thirrur seancën e jashtëzakonshme. Ju falënderojmë për gatishmërinë tuaj për bashkëpunimin, me bindjen që sugjerimi ynë do të merret parasysh”, përfundon letra e KDI-së drejtuar deputetëve të Parlamentit të Kosovë.