KDI -ja: Aksioni i sotëm dëshmi që Kosova është thellë e zhytur në korrupsion

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson faktin se pas një periudhe relativisht të gjatë kur dukej se Prokuroria e Shtetit po kalonte nëpër një fazë të gjatë letargjie, sot ndërmori një aksion duke bastisur shumë lokacione anekënd Kosovës.

Sipas deklarimeve zyrtare, gjetjet e para nga këto bastisje janë para të gatshme në vlerë prej mbi 400 mijë euro, të gjetura në shtëpitë e personave të përfshirë në rast.

Këto arrestime dhe zbulimi i një shume kaq të madhe parash të gatshme në duar të individëve dëshmon edhe një herë se sa thellë është i zhytur në korrupsion Kosova dhe se sa të organizuara janë grupet kriminale të cilat fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hiearkinë e institucioneve shtetërore.

Raste të tilla janë edhe një tregues i qartë se pse Kosova në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International vazhdimisht humbet pikë duke ngelur nën mesataren globale e shumë larg mesatares evropiane në perceptimin e korrupsionit.

Arrestimi i 10 zyrtarëve shtetëror për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetëror për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë.

KDI kërkon nga Prokuroria e Shtetit që në afat sa më të shkurtër të veproj në drejtim të mbledhjes së të gjitha provave dhe që sa më shpejtë të vendos para drejtësisë personat e përfshirë. KDI gjithashtu inkurajon qytetarët të cilët kanë qenë viktima të këtyre abuzimeve nga zyrtarë që kanë punuar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht  në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, t’i raportojnë abuzimet apo dëmet e shkaktuara në Prokurori të Shtetit apo Polici.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme