Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka folur rreth zgjatjes së afatit për përfundimin e autostradës Prishtinë -Han i Elezit dhe qëndrimet e Qeverisë karshi kësaj kontrate, raporton Ekonomia Online.
Ata thonë se kjo zgjatje deri më 1 qershor të vitit 2019-të u bë për shkak të mungesës së buxhetit ngase Qeveria obligohet t’ia jap Bechtel Encas 53.1 milionë euro.
Menaxherja e projekteve në KDI, Diana Metushi-Krasniqi, kërkoi nga organet e drejtësisë që të merren me çështjen e humbjes së 53.1 milionë eurove.
“KDI i bën thirrje të gjitha organeve të drejtësisë që të hetojnë në mënyrë eksplicite arsyet e humbjes së 53.1 milionë eurove të qytetarëve të Kosovës. Kërkojmë nga po të njëjtat organe që të hetojnë edhe përllogaritjen e shumës prej 53.1 milionë eurove për vazhdim të kontratës 13 janar 2018-të, përkatësisht në aneksin e fundit 1 qershor 2018-të”, ka thënë ajo.
Krasniqi kërkoi nga Qeveria që të jap sqarime publike se çfarë përfshihet brenda 53.1 milionë eurove.
“152 ditë i kanë dhënë shtesë kur kanë nënshkruar kontratën. Neni 5 i afatit të përfundimeve zgjatë deri më 1 qershor. Gjatë kësaj periudhe Qeveria do të kryej të gjitha shpronësimet dhe do t’i garantojë kontraktorit punishte. Kontrata bazë definon kohën e përfundimit kjo kontratë është vetëm në gjuhën angleze, kjo kontratë është shkelje e ligjit. Ne kërkojmë nga ministri Pal Lekaj në vend të humbjes së kohës para daljes publike nëpër medie të jap sqarime publike se si erdhi që shuma 14.7 milionë euro që ishte në vitin 2016 të ngritët në shumën 53.1 milionë euro në vitin 2017”, tha ajo.
Sa i përket deklaratave të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Pal Lekaj, se punimet mund të shtyhen për shkak të motit të keq, ajo tha se kjo nuk ka të bëjë me motin, por me mungesë buxheti.
“Dimri gjithë na gjen të pa përgatitur, më 18 janar 2018-të ka qenë kontrata për përfundim, më pas është 18 gusht. Është dashtë të parashihet moti me reshje, kjo ska të bëjë me forca madhore, por me mungesë të buxhetit”, tha ajo.
Ajo ka theksuar se në Aneks Kontratë, qartazi mund të shihni se Neni 5 zgjat kohën e përfundimit për 152 ditë, përderisa Neni 9 obligon Qeverinë të mbaroj të gjitha shpronësimet, dhe t’i garantoi kontraktorit qasje në vend punishte për të përfunduar punët.
“Për t’i kuptuar termat e përdorur në aneks kontratë duhet t’i referohemi edhe kontratës kryesore ku neni 8.2 kohën e përfundimit e definon si:
Kontraktori do të kompletojë të gjithë punimet, përfundoj secilën pjesë (nëse ka), brenda kohës për përfundimin e punimeve ose seksioneve (pjesëve), duke përfshirë:
(a) arritjen e kalimit të testeve pas përfundimit, dhe
(b) përfundimin e të gjitha punëve të deklaruara në kontratë si të domosdoshme që punët apo pjesët (seksionet) të konsiderohen si të përfunduara me qëllim të pranim dorëzimit të definuar në nën-klauzolën 10.1 [Pranim-Dorëzimi i punëve dhe seksioneve]”, ka shtuar më tej.