Kërkesa e drejtorit ekzekutiv të Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, që ministrat e Qeverisë së Kosovës, që njëherësh janë të zgjedhur edhe si anëtarë të kuvendeve të komunave të japin dorëheqje nga ndonjëra prej këtyre pozitave publike, ende nuk e ka bindur ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, për këtë veprim, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministri Gashi ka vlerësuar se ligji e lejon mbajtjen e këtyre 2 posteve publike dhe ka sqaruar se do të marrë një vendim lidhur me këtë çështje pas konsultimit me elektoratin e tij. Ai vitin e kaluar është emëruar ministër i MKRS-së në Qeverinë e Kosovës, derisa në zgjedhjet komunale të 22 tetorit është zgjedhur si anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
“Mendoj se kemi të bëjmë me një pozitë, e cila përfaqëson qytetarin dhe votuesin, si edhe është pozitë përfaqësuese e një subjekti politik. Për momentin kam vendosur që ta ushtroj edhe këtë përgjegjësi, derisa të konsultohem me votuesit e mi për hapat e mëtejshëm”, ka thënë Gashi, pasi që është pyetur nëse do ta marrë parasysh kërkesën e aktivistit të shoqërisë civile për dorëheqjen, me qëllim të promovimit të një politike etike dhe llogaridhënëse.
Ai ka theksuar se në këtë drejtim nuk ka asgjë që bie ndesh me legjislacionin në fuqi. “Ajo që është e rëndësishme, është se kemi të bëjmë me një proces që e lejon ligji dhe kjo është me rëndësi për mua”, ka deklaruar Gashi.