Më 1 tetor 2020, Ministria e Shëndetësisë (MSH) publikoi kontratën për furnizim me 60 mijë teste për COVID – 19 në vlerë prej 1.3 milion euro me afat kontrate prej 30 ditësh. Kompania fituese “Interlab” ishte operatori i vetëm i cili ishte ftuar nga MSH për të ofertuar në këtë tender me procedurë emergjente.
Njoftimi për dhënie të kësaj kontrate ishte publikuar nga MSH më 24 shtator, në po të njëjtën ditë që raporti i ekspertit shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) e kishte vlerësuar “Interlab-in” (si dhe disa operatorë të tjerë) të papërgjegjshëm në tenderin paraprak emergjent për 100 mijë teste për 6 muaj, të iniciuar nga MSH më 21 korrik 2020, ku ishin ftuar të ofertojnë 24 operatorë. Më 13 gusht MSH kishte njoftuar ofertuesit për vendimin lidhur me procesin e vlerësimit të ofertave. Prej kësaj periudhe, pra për 45 ditë, ky tender është duke vazhduar në procedura ankimore në MSH e OSHP, ndonëse Ligji për Prokurimin Publik dhe Rregullorja e punës së OSHP-së (Neni 12.5) mundëson që në rast të emergjencave ekstreme të veprohet sa më shpejt që të jetë e mundshme duke marrë parasysh konsekuencat në interesin publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) me 8 shtator 2020 në komunikimet me MSH kishte alarmuar se kishte furnizime me teste COVID 19 vetëm edhe për 3-4 javë, bazuar në trendet ditore të testimit.
Duke u nisur nga fakti se tenderi për 100 mijë teste COVID është ende duke u shqyrtuar në OSHP, KDI vlerëson që IKSHP si njësi kërkuese dhe MSH si autoritet kontraktues, është dashur të iniciojnë tenderin një-burimor për vetëm 30 ditë furnizim me teste (afërsisht 17,000 teste) e jo për 60,000 mijë teste, respektivisht 108 ditë[1].
Duke u thirrur në gjendjen pandemike, KDI kërkon nga MSH dhe OSHP të veprojnë me efikasitet dhe pa vonesa për të siguruar furnizim të rregullt me teste dhe për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Neglizhenca dhe vonesat në trajtimin e ankesave në prokurimin publik po i stimulojnë blerjet me procedurë njëburimore (me një operator të vetëm) të cilat kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësitë për korrupsion.