Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezë diskutimi me deputetë dhe qytetarë të rajonit të Prizrenit lidhur me Dialogu Kosovë-Serbi. Kjo tryezë kishte si qëllim nxitjen e dialogut qytetarë, rritjen e transparencës si dhe shtimin e llogaridhënies nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ndaj qytetarëve rreth këtij procesi.
Pjesë e panelit në këtë tryezë ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Prizrenit: Nait Hasani (PDK), Zafir Berisha (NISMA), Emilija Redzepi (NDS) si dhe Hatim Baxhaku (LDK).
Në hapje të këtij diskutimi, drejtori ekzekutiv i KDI-së, z.Ismet Kryeziu, theksoi faktin se qytetarët e Kosovës nuk e ndjejnë nga afër këtë dialog dhe kanë mungesë të informacionit lidhur me të. Ai shpjegoi se hulumtimet e KDI-së kanë vënë në pah se 75% e qytetarëve janë të pakënaqur me nivelin e inforimimit të tyre nga ana e institucioneve kur është fjala për këtë proces dhe kanë kërkuar përgjegjësi më të madhe nga Kuvendi.
Deputeti Nait Hasani, gjatë fjalës së tij ka theksuar se Kosova që nga shpallja e pavarësisë është dashur të hyjë në marrëdhënie diplomatike me shtetet fqinje përfshirë edhe Serbinë.
Kjo marrëdhënie ka thënë se duhet të ekzistojë pavarësisht të kaluarës që kanë pasur të dyja vendet për shkak të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi në mënyrë që ata të kenë të drejta të barabarta. Ai ka përmendur stadet në të cilat është zhvilluar dialogu ndërmjet dy shteteve dhe fakti që tani zhvillohet në nivel Presidentësh ka thënë se kjo nënkupton që ky dialog do të shkojë në të mirë të qytetarëve.
Ndërsa deputeti Zafir Berisha, ka theksuar se bisedimet me Serbinë kanë nisur si teknike por pastaj e kanë tejkaluar këtë duke u bërë bisedime politike “për çështje të brendshme të Kosovës”. Ai ka konsideruar se gabimi është bërë në hapat e parë sepse Kosova sipas tij është futur në bisedime e pabarabartë me Serbinë, e cila nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si provincë të saj. Po ashtu deputeti Berisha ndër të tjera e ka konsideruar si të dëmshme marrëveshjen për Asociacionin si dhe atë për Drejtësinë.
Deputetja Emilija Redzepi, ka theksuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve mund të marr shumë kohë por është i nevojshëm të ndodh. Të gjithë ata që besojnë në shtetin e Kosovës, hapjen e saj drejt rajonit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të besojnë edhe në këtë dialog mes të dyja palëve. Pa besuar në këtë projekt ka thënë se nuk mund të ketë sukses.
Ndërkaq deputeti Hatim Baxhaku, ka theksuar se marrëveshjet që kanë dalë nga procesi i Dialogut Kosovë-Serbi nuk kanë qenë transparente sa duhet as për qytetarët dhe as për Kuvendin e Kosovës. Ai ka vlerësuar se ky dialog ka nisur në rrethana jo shumë të përshtatshme sepse s’ka pasur gatishmëri të të dyja shteteve për të biseduar.
Megjithatë ka thënë se ky dialog duhet të vazhdojnë por me një agjendë tjetër, një platformë mirë të përgatitur pas një diskutimi në Kuvend dhe me qytetarët.
Po ashtu panelistët në këtë debat ju përgjigjën interesimit të madh të qytetarëve lidhur me këtë proces nga ku u artikulua nevoja për rritjen e transparencës rreth dialogut, shtimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve si nga Qeveria po ashtu edhe nga Kuvendi dhe riformatimin e dialogut në të ardhmen.
Kjo tryezë organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.