KDI kërkon të qartësohet dilema rreth demarkacionit

Prishtinë | 12 Kor 2016 | 12:54 | Nga

Tashmë kur po bëhet gati një vit që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nevoja për një debat të hapur parlamentar lidhur me këtë çështje të hapur është e domosdoshme, vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas KDI-së, shënjimi i kufijve të Kosovës është i rëndësishëm për të ardhmen politike të saj, si dhe për rritjen e nivelit të sigurisë në tërësi. Për më tepër, rëndësia për përmbyllje sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje është rritur me vendosjen si kriter për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga ana e Komisionit Evropian.

Pretendimet për gabime të mundshme nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si nga qytetarët e zonës ashtu edhe ekspertë të kësaj fushe, kanë prodhuar kundërshtime nga subjektet politike opozitare, e që janë përcjellë me veprime jo parlamentare. Për pasojë, Kuvendi nuk është tërësisht funksional, gjë që po ndikon direkt edhe në mungesë të efikasitetit të institucioneve tjera shtetërore.

Kuvendi si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend, është i obliguar të mbajë qeverinë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse por edhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve dhe t’u ofrojë atyre zgjidhje. Përkundër që ky proces kërkon zgjidhje të shpejtë,  kjo nuk përbën arsye të ndërmerren vendime të ngutshme që janë të pakthyeshme.

Nisma e deputetit Shpejtim Bulliqi, e përkrahur tashmë nga 20 deputetë për një ballafaqim ndërmjet Komisionit shtetëror me ekspertë të kësaj fushe meriton vëmendjen e udhëheqësve institucional dhe përbën një mundësi reale për një debat të mirëfilltë.

Në anën tjetër, shfaqja e gatishmërisë së subjekteve opozitare për t’u kthyer në Kuvend për të diskutuar çështjen e demarkacionit dhe për të hequr dorë nga veprimet me mjete jo parlamentare, është situatë e  re politike e cila duhet të merret seriozisht nga qeveria edhe koalicioni qeveritar. KDI beson që sfidat mund të tejkalohen nëse ato debatohen dhe adresohen bashkërisht dhe vetëm në interes të shtetit dhe qytetarëve.

KDI kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria që të mbështesin dhe inkurajojnë debatin parlamentar, organizmin e dëgjimeve publik apo formave tjera të ballafaqimit të argumenteve për demarkacionin para se të procedohet në Kuvend për ratifikim. Kjo do të siguronte një transparencë më të madhe të procesit dhe do t’i kontribuonte përmbylljes së kësaj çështje përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe një konsensusi të gjerë shoqëror.

Në këtë kontekst, KDI pret nga deputetët, subjektet politike në Kuvend dhe Qeveria, pjekuri dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësitë dhe për të respektuar obligimet kushtetuese dhe shtetërore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme