KDI: Reforma në drejtësi me kritika e kontestime, pak rezultate nga 40 iniciativat ligjore

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 13:56 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një tryeze diskutimi me temën “Progresi i reformës në drejtësi”, ka publikuar raportin analitik “Reforma në Drejtësi: Arritjet, sfidat dhe rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se Qeveria Kurti për këto tri vite qeverisjeje, ka iniciuar rreth 40 iniciativa ligjore në kuadër të reformave në drejtësi, por që rezultatet kanë qenë të pakta.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu ka thënë se procesi i reformave në drejtësi gjatë qeverisjes së Albin Kurtit është përcjellë me shumë kontestime e kritika.

“Ky proces nuk është përcjellë qetësisht, ka pasur shumë kontestime, ka papasur shumë kritika edhe në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë atakuar qoftë kushtetshmërinë apo kanë pasur edhe tendenca të tjera. Sidomos opozita ka qenë shumë e zëshme duke përfshirë edhe shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, ka thënë se për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovës, fillimisht duhet njohur sfidat.

“Jemi të zotuar për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovës, në reformën e përgjithshme të drejtësisë.  Siç e dini drejtësia është një përpjekje njerëzore dhe është ideale që formëson institucionet, ligjet dhe ndërgjegjësimin kundër-korrupsionit. Mbetet sfiduese, ndërsa po e trajtojmë reformën në drejtësi duhet t’i njohim sfidat, faktorët për të shpjer në një drejtësi më të barabartë”, ka thënë ajo.

Violeta Haxholli, Menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e cila prezantoi Analizën e KDI: “REFORMA NË DREJTËSI: Arritjet, Sfidat dhe Rruga Përpara”, ka thënë se kjo qeveria për tri vite ka sjellë rreth 40 iniciativa ligjore në kuadër të reformave në drejtësi por që ka pasur pak rezultate.

Ajo ka thënë se tri propozimet kryesore që kishte kjo qeveri: proces i ri i Vettingut në sistemin e drejtësisë, krijimi i një Byroje Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe reforma në Këshillin Prokurorial, mbeten si qëllime kryesore të parealizuara.

“Si KDI kemi përcjellë në vazhdimësi gjithë procesin, kemi ofruar edhe rekomandimet tona në këto grupe punuese, kemi punuar edhe me Kuvendin e Kosovës. Për këto tri vite është që ka pasur në aspekt të numrave një numër të madh të iniciativa ligjore për reforma në drejtësi, rreth 40 iniciativa ligjore që ka iniciuar Qeveria, por nëse bëjmë një rezyme të saj mungojnë rezultatet në praktikë. Iniciativat kryesore nuk kanë sjellë ende rezultatet e dëshiruara. Një element tjetër që përfshinë ky raport ka qenë përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarët. Sa i përket përfshirjes së qytetarëve kemi parë që publiku nuk është fare i informuar nga iniciativat ligjore. Gjë që tregon nevojën për një komunikim më të mirë të Qeverisë dhe të Kuvendit”, ka thënë ajo.

Të ngjashme