Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të afateve kushtetuese për funksionimin demokratik të institucioneve.
KDI vlerëson se Presidentja ka vepruar drejt duke kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, por nënvizon se kjo kërkesë është bërë me vonesë dhe ka krijuar paqartësi të panevojshme. Sipas KDI-së, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është i detyrueshëm dhe mosrespektimi i tij përbën dështim kushtetues.
Instituti fton subjektet parlamentare që të respektojnë Kushtetutën dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre pa vonesa, ndërsa thekson se Gjykata Kushtetuese mund të japë qartësi mbi pasojat, por jo të pezullojë detyrimet politike.