KDI: Skënderaj komuna më transparente, komunat në veri s’publikojnë asnjë vendim në ueb faqe

Prishtinë | 24 Maj 2023 | 10:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) së bashku me Transparency International Slovakia kanë mbajtur  konferencë për medie ku është prezantuar Indeksi i Transparencës për qeverisjen komunale për vitin 2022, për 38 komunat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit komunën e Skënderajt si qytetin më transparent me 92.63 pikë nga 100, pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës me nga 91.13 pikë, Prizreni 90.63 pikë, Drenas 89.88 pikë e Prishtina me 89.13 pikë.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se viti 2022 ka shfaqur një trend pozitiv të transparencës në nivel komunal me një rritje prej 12% pikë në krahasim me vitin paraprak, nga 56% në vitin 2021 në 68% në vitin 2022.

“Ueb faqet e komunave vazhdojnë të përballen me probleme teknike të cilat dekurajojnë qytetarët, por edhe akterë të tjerë, t’i shfrytëzojnë ato si burim i informacionit”. Në vazhdim, ajo theksoi se mungesa e standardeve për publikimin dhe emërtimin dokumenteve e vështirëson edhe më shumë informimin publik dhe rrit kohën për gjetjen e informacionit”, tha ajo raporton EO.

Metushi-Krasniqi shtoi se indeksi vazhdon të theksoj nevojën e angazhimit të pushtetit lokal në rritjen e transparencës në lidhje me ndërmarrjet dhe organizatat publike, krijimin e instrumenteve për mbrojtjen e integritetit dhe raportimin e sjelljeve joetike.

Po ashtu, ajo potencoi nevojën për përditësimin e planeve të integritetit në komunat e Kosovës, si dhe një përkushtim më të madh për pjesëmarrjen e publikut në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes së nivelit lokal.

“Ndërkohë, katër komunat veriore vazhdojnë të mos publikojnë asnjë dokument në ueb faqet zyrtare të komunave. Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit komunën e Skënderajt si qytetin më transparent me 92.63 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës me nga 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenas (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94) Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë), Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë). Ndërsa 10 komunat me rritjen më të lartë të transparencës në krahasim me vitin 2021 janë Skenderaj, Istogu, Deçani, Prizren, Malishevë, Kamenicë, Hani i Elezit, Dragash, Drenas, Klinë, Junik, Suharekë, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica”.

Kristina Kroková nga Transparency International Slovakia, tha se ata publikojnë që nga viti 2010 raporte për 100 komuna dhe se zhvillimi është i dukshëm, ku ka komuna që nga veti i 75 kanë kaluar në të tretin.

“Synimi është që të zvogëlojmë korrupsionin duke rritur transparencën te qytetarët. Që nga viti 2010 çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në duke vlerësuar shumë indikatorë. Renditja e secilës komunë deri më tani është rritur për 23%. Poashtu bëjmë edhe rangimit sipas rajoneve, ne i kemi tetë rajone. Ka komuna që nga vendi i 75 janë renditur të 3, kjo për shkak të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve”.

Indeksi ka matur transparencën komunale në 87 indikatorë, të ndarë në tetë shtylla të qeverisjes si transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, transparenca buxhetore, transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, qasja në dokumente publike, përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, menaxhimi i pronës komunale, si dhe ndërmarrjet dhe organizatat publike në pronësi të komunave.

Të ngjashme