Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me krerët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Ministrisë së Shëndetësisë, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në procesin e prokurimit.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se është i hapur për llogaridhënie dhe transparencë, raporton Ekonomia Online.
“E kam thënë që nga fillimi se jemi të hapur për të qenë transparentë para taksapaguesve, qytetarët dhe institucionet që shfaqin interesim për kontrata dhe dokumente tjera. Nënshkrimi i këtij memorandumi sot është dëshmi se e gjithë ajo çka është për publikun do të jetë e hapur dhe e qasshme për të gjithë”, tha ai.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se Kosova është ballafaquar vazhdimisht me kontrata korruptive, derisa kërkoi më shumë vullnet politik për transparencë më të madhe.
“Kjo është iniciativë qe e kemi mbështetur edhe më parë. Prokurimi publik në Kosovë ka sfida të shumta. Jemi krejt dëshmitarë të skandaleve të njëpasnjëshme të korruptimeve dhe kontratave të fryra. Kur zyrtarët marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës ata duhet të mendojnë për interesin e qytetarëve se si shfrytëzohen fondet publike. Ka edhe mbeten dy faktorë, është vullneti politik, është faktor që ka mungu, prandaj ka korrupsion. Shpresoj që pjesëmarrja e dy ministrave në këtë projekt tregon që ekziston vullnet politik. Projekti ka qëllim arritjen e transparencës gjatë procesit të prokurimit. Ajo çka përfaqëson projekti është monitorimi i 4 kontratave të mëdha”,tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se janë të përkushtuar ta luftojnë korrupsionin.
“Në këtë iniciativë të cilën e kemi filluar si ministri, i dëshirojmë mirëseardhje në mënyrë që t’i ndihmojmë njëri-tjetri të krijojmë praktika të mira, jo vetëm sa jemi na ministra, por të jetë i qëndrueshëm. Duhet ta kemi një sistem të qëndrueshëm që e lufton vetë korrupsionin e nuk varet vetëm nga ministrat. Këtij vullneti tonë për ta luftuar korrupsionin i bashkangjitet edhe KDI. Prania jonë tregon vullnetin tonë politik të madh dhe puna jonë që jemi duke bërë qe një vit është një lloj indikatori”, tha ai.
Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së, tha se qëllimi i projektit është rritja e transparencës së parasë publike, raporton EO.
“Kjo është një tentativë e jona për të ofruar ekspertizën tonë lidhur me luftimin e korrupsionit. Duke marrë parasysh zotimet e qeverisë për luftimin e korrupsionit, mendojmë që është koha e duhur që të jetë transparente paraja publike. Këto projekte do t’i shërbejnë këtij vizioni”.
Edhe Faruk Hajrizi, kryesues i bordit të KEK-ut, dhe Behxhet Rrukiqi, drejtor i AQP-së, përshëndetën projektin dhe u zotuan që do të jenë bashkëpunues.