Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kryer një hulumtim të opinionit publik në mesin e votuesve të rinj nga mosha 17 deri 21 vjeçare.
Sipas rezultateve të hulumtimit, 70% e të rinjve kanë deklaruar se gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar. Të pyetur se cilat janë 5 shqetësimet e tyre kryesore të cilat duhet të adresohen nga qeveria, të rinjtë kanë listuar si më kryesoret: papunësinë (65.1%); Zhvillimin ekonomik (54.6%); Luftimi i korrupsionit (51.3%); Shëndetësi (42.2%) si dhe Liberalizimi i vizave (4.1%).
Të rinjtë kanë deklaruar se në 12 muajt e fundit më së shumti kanë diskutuar për politikën në internet, përkundër që vendimet e tyre nuk ndikohen nga reagimet në rrjetet sociale.
Gjendja financiare në familjet e 52.8% e të anketuarve është deklaruar të jetë e vështirë për të përballuar shpenzimet mujore, përderisa 75% kanë vlerësuar si të dobët dhe joefikase punën e Qeverisë.
Sa i përket qëndrimeve të të rinjve për partitë politike, mbizotëron mendimi se ato janë të ndikuara nga një grup i vogël njerëzish me fuqi të madhe.
Si një e gjetur më shqetësues nga anketimi ka dalë që të rinjtë i shohin partitë politike si institucione nga të cilat mund të përfitojnë punësim dhe avancim më të lehtë në karrierë. Si institucioni më i besuar në mesin e të rinjve është renditur komuna, ndërsa në partitë politike kanë më së paku besim.
Nga të rinjtë është kërkuar që të japin një emër se cili është politikani model për ta. Nga 69 emra të personave të ndryshëm që janë dhënë, Albin Kurti është politikani model për të rinjtë me 13.7%, i pasuar nga Hashim Thaçi (10.5%) dhe Kadri Veseli (7.5%). Përderisa 23.5% e të anketuarve kanë deklaruar se asnjë prej politikanëve ekzistues nuk janë model që duhet ndjekur.
Interesimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhme parlamentare është treguar i lartë, ku 76.1% janë shprehur të interesuar për të votuar. Programi politik, lista e kandidatëve dhe historiku i partisë del të jenë ndër faktorët përcaktues për tu përcaktuar për të votuar një subjekt politik.
Në këtë drejtim, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja Vetëvendosje! 27%; Partia Demokratike e Kosovës (20%); Lidhja Demokratike e Kosovës (13%); Aleanca Kosova e Re (7%); Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7%), Nisma për Kosovën (3%) si dhe Lista Serbe (3%). Një numër i madh i të anketuarve prej 18% kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme.