Anëtarët e KDTP-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit kanë kërkuar që ish-drejtori i Financave, Ertan Simitçi, të kthehet në vendin e tij të punës. Këtë kërkesë e ka paraqitur edhe publikisht zëvendëskryesuesi i KK-së, që vjen nga radhët e partisë turke, Sencar Karamuço, gjatë seancës së fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal, teksa po diskutohej raporti për evidentimin dhe inkasimin e llogarive të arkëtueshme.
Karamuço ka theksuar se hartimi i këtij raporti është realizuar falë iniciativës së ish-drejtorit Simitçi dhe ka shtuar se kolegu i tij partiak ka kryer detyrën me përkushtim ndaj interesit publik, shkruan sot Koha Ditore.
“Sot jemi dëshmitarë të gjithë kuvendarët dhe opinioni i gjerë se ish-drejtori Ertan Simitçi ka kryer me vullnet të plotë dhe përkushtim ndaj interesit publik. Ish-drejtori Simitçi më 26 gusht 2019 për hir të interesit publik ka dhënë dorëheqje nga detyra dhe sot ballafaqohet me drejtësinë. Sot të gjithë jemi dëshmitarë se puna e drejtorit dhe përgjegjësia e tij ndaj Komunës dhe institucioneve ka qenë në nivel të lartë, qoftë në mandatin e kaluar ashtu edhe në mandatin aktual”, ka thënë Karamuço, duke shtuar se raporti për llogaritë e arkëtueshme paraqet një shembull të mirë të punës së tij.
“Ne kërkojmë që drejtori të kthehet në vendin e punës”, ka deklaruar Karamuço. Ai ka shtuar se bazuar në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës çdo person i akuzuar për vepër penale “prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij në pajtim me ligjin”.
Mirëpo, lidhur me këtë kërkesë të përfaqësuesit të KDTP-së në KK-në e Prizrenit nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga ekzekutivi komunal. Posti i drejtorit të Financave ka mbetur i paplotësuar që prej dorëheqjes së ish-drejtorit Simitçi në fund të muajit gusht të këtij viti. Një gjë e tillë ka shtyrë këshilltarin e PDK-së, Getoar Besimi, për të shprehur qëndrimin se anëtarët e KK-së nuk e dinë se kush është drejtor i Financave.