Raporti i komisionerit Nils Muiznieks përmend rastin e Zyrës së Kryeministrit e cila nuk i lejon qasje në dokumente publike BIRN-it ndonëse gjykata e ka urdhëruar atë t’i bindet kërkesës.
Këshilli i Europës ka bërë publik raportin e komisionerit të të Drejtave të Njeriut, Nils Muiznieks, i hartuar pas misionit në Kosovë nga 5 deri më 9 shkurt të këtij viti, mision i fokusuar në çështje të drejtësisë, kohezionit social dhe lirinë e medias.
Në pikën Liria e mediave, raporti vëren se me ligje mediat në Kosovë kanë liri të shprehjes dhe të drejtë qasjeje në dokumente publike.
Mirëpo, raporti thekson se institucionet jo gjithherë u lejojnë qasje në dokumente publike gazetarëve, edhe në rastet ku gjykatat vendore kanë dhënë vendime në favor të tyre.
Kështu, raporti i komisionerit Muiznieks përmend rastin e kundërshtimit të Zyrës së Kryeministrit për t’i lejuar qasje Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimet e kryeministrit të Kosovës dhe zëvendësve të tij në vizitat jashtë vendit.
“Pas një përballje trevjeçare gjyqësore, në tetor 2015 një gjykatë vendore e urdhëroi Zyrën e Kryeministrit t’i bindet kërkesës. Në bazë të informacioneve që i janë ofruar komisionerit gjatë misionit, aktgjykimi ende nuk është zbatuar”, thuhet në raport.
Ndonëse ka pluralizëm të mediave, raporti vëren se media të ndryshme veprojnë në kontekst të vështirë ekonomik.
Në raportin e tij, komisioneri ka shfaqur brengën e tij lidhur me disa raste të gjykimeve të profilit të lartë, të cilat nuk janë lejuar të incizohen me kamera, ndërkohë që nuk është dhënë arsye pse po ndodhë kjo. Këto raste janë denoncuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Federata Europiane e Gazetarëve.
Po ashtu, raporti përmend edhe rastet e frikësimit, sulmet fizike dhe mosndëshkimin e krimeve kundër gazetarëve.
Sipas autoriteteve, 154 raste të kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve ose pronës së tyre janë regjistruar nga viti 1999 deri më 2016.
Raporti i komisionierit Nils Muiznieks thekson se 18 vjet pas përfundimit të luftës Kosova duhet t’i japë fund mosndëshkimit të krimeve të kryera gjatë konfliktit, duke siguruar që autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.
Po ashtu, komisioneri i të Drejtave të Njeriut i Këshillit të Europës nënvizon se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve, i cili është “shumë i dobët”.
Për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe për të mundësuar pajtimin, Kosova duhet të “zbardh fatin e të gjithë personave të zhdukur, t’u sigurojë viktimave të luftës dëmshpërblim të përshtatshëm dhe të lehtësojë kthimin vullnetar të personave të zhvendosur”, shtoi ai.
Komisioneri Muiznieks bën thirrje që të hapen arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe në mënyrë që çdo informacion në lidhje me fatin e të zhdukurve të shfrytëzohet për të gjetur varret e tyre.(Kallxo.com)