Italia po përballet me zhbalancime të tepruara ekonomike dhe politikat e qeverisë së saj po i bëjnë gjërat edhe më keq, duke paraqitur një kërcënim për vendet e tjera të Eurozonës, tha Komisioni Europian.
Megjithatë, krahu ekzekutiv i BE-së, puna e të cilit është të analizojë ecurinë ekonomike të secilit prej 28 vendeve të unionit dhe të paralajmërojë për probleme përpara, tha se do të presë derisa të marrë programin e reformave të Italisë në prill, përpara se të ndërmarrë veprime.
“Italia po përjeton një zhbalancim të tepruar. Borxhi i lartë i qeverisë dhe dinamika e zgjatur e produktivitetit, nënkuptojnë rreziqe me rëndësi ndërkufitare, në një kontekst të nivelit ende të lartë të kredive me probleme dhe papunësi të lartë”, tha Komisioni.
Vitin e kaluar, Italia shmangu një procedurë disiplinore të BE-së mbi borxhin e saj shumë të lartë, i cili sipas rregullave të BE-së duhet të bjerë çdo vit.
Në një situatë të paprecedentë, Komisioni hodhi poshtë në tetor projektbuxhetin fillestar të 2019-ës, të koalicionit euroskeptik dhe populist në pushtet, i cili parashikonte ngritjen e huamarrjes për të mbuluar premtimet zgjedhore.
Roma dhe Komisioni përfundimisht arritën një kompromis mbi deficitin, por u bazuan në një parashikim të rritjes ekonomike prej 1.2 për qind. Në shkurt, Komisioni rishikoi atë deri në 0.2 për qind.
“Raporti i borxhit të qeverisë nuk pritet të bjerë në vitet e ardhshme, pasi pamja e dobët makroekonomike dhe planet aktuale fiskale të qeverisë, megjithëse më pak ekspansioniste sesa planet e saj fillestare për 2019, do të sjellin një përkeqësim të suficitit primar”, tha KE.