Mbështetja që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, bëri ndaj thirrjeve për bojkot të mallrave franceze paraqet edhe një pengesë të mëtejshme, në përpjekjen tashmë të ngecur të Turqisë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, tha të martën Komisioni Evropian.
“Thirrjet për bojkot të produkteve të çdo vendi anëtar janë në kundërshtim me frymën e këtyre detyrimeve dhe do ta çojnë Turqinë edhe më larg Bashkimit Evropian”, tha një zëdhënës i KE-së.
Turqia aplikoi për t’u bashkuar me Komunitetin e atëhershëm Ekonomik Evropian më 1987 dhe filloi negociatat zyrtare të pranimit në Bashkimin Evropian më 2005, por bisedimet konsiderohen si të ngrira.
Protestat shpërthyen në disa vende, kryesisht myslimane, pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron mbrojti të drejtën e publikimit të karikaturave të profetit Muhamed, pas vrasjes së një mësuesi francez.
Mësuesi i historisë Samuel Paty u vra në rrugë më 16 tetor pasi ndaj tij u zhvillua një fushatë në media sociale duke e kritikuar për shfaqjen para studentëve të karikaturave të profetit Muhamed, gjatë një ligjerate për lirinë e shprehjes.