Kejsi “surprizon” me veprimin për ditëlindjen e Stresit

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Reperi i njohur, Arkimed Lushaj – Stresi, feston sot një përvjetor mjaft të rëndësishëm.

Ai ka mbushur plot 40 vite jetë, një moment ky që ka sjellë një lumë urimesh nga miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë të estradës. Megjithatë, vëmendjen e të gjithëve e ka marrë pa dyshim një urim mjaft i veçantë dhe emocional nga ish-partnerja e tij, Kejsi.

Përmes një videoje të publikuar në Instastory, Kejsi iu ka drejtuar Stresit me fjalë tejet të bukura, që dëshmojnë se pavarësisht ndarjes dhe kalimit të kohës, mes tyre ka mbetur një respekt dhe dashuri e madhe.

Kejsi e ka nisur mesazhin e saj me një notë humori, duke kujtuar mesazhet e shumta që ka marrë nga reperi përgjatë kohës, për të vazhduar më pas me një premtim të fortë se ajo do të jetë gjithmonë një pikë mbështetjeje për të.

“Gëzuar ditëlindjen! Po ta dërgoj këtë mesazh për të të uruar ditëlindjen. Besoj se ta kam bërë borxh se sa mesazhe m’ke dërguar ti mua. Dua të të uroj gjithë të mirat. Vitet kalojnë, gjërat ndryshojnë, por një gjë që do të mbetet gjithmonë e njëjtë është se unë gjithmonë do të jem pranë teje,” u shpreh Kejsi në videon e saj.

Më tej, ajo ka treguar se gëzohet pafund për çdo arritje të Stresit, duke i uruar që ky vit i rëndësishëm i jetës t’i realizojë të gjitha dëshirat që ai mban në zemër.

“Të dëshiroj gjithçka të mirë që kjo botë ka për të ofruar dhe uroj që ky vit t’i plotësojë të gjitha ëndrrat dhe dëshirat që ke. Vazhdo përpara si gjithmonë. Jam shumë, shumë e lumtur kur shoh që je i lumtur, që ke suksese, dhe shpresoj që ky vit të të sjellë vetëm të mira. Të jesh i lumtur dhe ta shijosh ditëlindjen tënde. Bëfsh qejf sot dhe në çdo ditë që vjen më pas”, përfundoi ajo.

Kujtojmë që edhe pse Stresi me Kejsin kanë vite që kanë ndarë rrugët me njëri – tjetrin, dyshja kanë treguar me kohën që kanë mbetur mbështetës të mëdhenj ndaj njëri – tjetrit.

Të ngjashme