Ministri i Financave, Avdullah Hoti, sot ka vizituar drejtorinë e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në këtë takim u bë e ditur se 60 për qind e konsumatorëve të KEK-ut përfituan nga Ligji për faljen e borxheve publike, raporton Ekonomia Online.
“Ne këto ditë jemi në terren bashkë me komisionin për faljen e borxheve për të punuar bashkë me ndërmarrjet publike dhe për të sensibilizuar qytetarët dhe bizneset që ta shfrytëzojnë mundësinë për të përfituar nga ligji për faljen e borxheve i cili është në fuqi deri në shtator të këtij viti. Është arritur progres i mirë në bazë të dhënave që i kemi edhe nga kjo ndërmarrje , është një përqindje bukur e lartë e borxheve të falura ose që janë programuar për dy tri vitet e ardhshme dhe që besoj që në tre katër muajt që kanë mbetur sa është ky ligj në fuqi do të shfrytëzohet mundësia nga qytetarët”, ka thënë ai.
Drejtori i menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka ka thënë se 60 për qind të borxheve që kanë pasur konsumatorët në këtë kompani janë falur.
“Ne në bazë të dhënave kemi afro diku 263 000 konsumatorë që i kemi trajtuar në bazë të ligjit për faljen e borxheve apo një vlerë prej 262 milionë euro, nga kjo shumë afër 117000 konsumatorë veç i kanë kryer obligimet karshi korporatës. Afër 60 për qind e konsumatorëve veç e kanë shfrytëzuar këtë mundësi”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të shfrytëzojnë mundësinë që ofron Ligji për Faljen e Borxheve i cili është në fuqi deri në shtator të këtij viti.