Biznesmeni dhe pronari i rrjetit të marketeve ETC, Ramiz Kelmendi, me të marrë postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, ka filluar vizitat në terren, nëpër biznese, e sidomos ato prodhuese, për të parë gjendjen e tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kelmendi thotë se ka gjetur mbështetjen e kryeministrit të Kosovës e të ministrave, duke e ditur që ai vjen nga sfera e biznesit dhe i njeh nevojat dhe kërkesat e bizneseve.
Kelmendi thotë se është më aktiv sesa lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, edhe ky një biznesmen i cili ishte zëvendëskryeministër i Parë i Kosovës, nga viti 2011 deri më 2014, me synim për të ndryshuar klimën dhe për të krijuar kushte më të mira për bizneset. Pacolli ishte përgjegjës edhe për investimet e huaja.
Por vetë Pacolli e ka pranuar disa herë publikisht se ka arritur pak nga ato që kishte synuar, duke u arsyetuar se nuk i ka pasur duart e lira për të vepruar.
Por, biznesmeni pejan, i cili iu bashkua së fundi Lidhjes Demokratike të Kosovës, është i bindur se do ta ketë mbështetjen e kryeministrit Isa Mustafa, ndryshe nga miliarderi i AKR-së, i cili atëbotë ishte zëvendësi i Hashim Thaçit.
“Pozita ime është më ndryshe, unë jam më aktiv, i detektoj të gjitha kërkesat dhe i realizoj, për arsye se kam gjetur mbështetjen e kryeministrit të Kosovës e të ministrive. Mund të them që të gjithë ministrat e kanë përqafuar prezencën time, duke e ditur që unë vij nga sfera e biznesit dhe i njoh kërkesat e arsyeshme të tyre dhe jam në mbështetje të realizimit të tyre”.
“Pra kemi një diferencë (me Pacollin). Ajo diferencë vërehet dhe besoj që do të proklamohet sa më shumë”, ka thënë Kelmendi, për Ekonomia Online.
Ai thotë se gjendja e bizneseve në terren është më e mirë se sa që promovohet, duke premtuar mbështetje për fuqizimin e prodhimtarisë.
Kelmendi potencon se Qeveria e Kosovës shpejt do të dalë me Pakon Fiskale 2 në të cilën do të përfshihen kërkesat e prodhuesve për barrierat që po sfidojnë ata dhe që produktet e vendëse po dalin më të shtrenjta në treg sesa ato të importuara.
“I kemi detektuar kërkesat e tyre si Qeveri e Republikës së Kosovës, dhe shumë shpejt do të dalim me Pakon Fiskale 2, e cila në tërësi do t’i eliminojë ato komponentë që po e bëjnë prodhuesin vendor të pafavorshëm në raport me prodhuesit e shteteve të regjionit në tregun vendor dhe gjatë eksportit”, ka thënë Kelmendi.
“Nëse nuk është e duhura, ne do të ndërtojmë edhe Pakon Fiskle 3. Por, gjithnjë do të shkojmë në fuqizimin e prodhimtarisë vendore, në veçanti punësimin e të rinjve dhe të rejave në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Ai tregon edhe arsyen e kalimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës për të cilën dëshiron që mos të merret askush me të, pasi që sipas tij, lëvizjet e tij politike janë ligjore dhe kushtetutese.
Gjithashtu Kelmendi tregon se a ka qenë i shantazhuar sa ishte në dy subjektet tjera politike PDK dhe AAK…
INTERVISTA E PLOTË:
EO: Po bëni vizita nëpër biznese, cila është situata në terren?
Kelmendi: Situata në terren është më e mirë se që po duket dhe se që po promovohet. Mund të them që gjatë vizitave që kam pas në terren dhe në kontinuitet që nga viti diku 2005, 2006 e me radhë gjendja e bizneseve tona ka avancuar jashtëzakonisht shumë. Pakoja Fiskale 1 i ka bërë disa ndryshime dhe ka ndikuar në fuqizimin e prodhimtarisë vendore dhe bizneseve tjera. Prandaj, ju kisha ftuar edhe ju medieve që t’i bëni disa vizita në mënyrë që opinionit publik t’i ofrohet një formë tjetër më reale mbi gjendjen e ekonomisë së Kosovës.
EO: Cilat janë kërkesat më të shumta të bizneseve gjatë vizitave që u keni bërë?
Kelmendi: Shiko, ka shumë kërkesa për disa komponenta që në procesin prodhues të tyre po ua shtrenjtojnë prodhimtarinë. Ne i kemi detektuar si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe shumë shpejt do të dalim me Pakon Fiskale 2, e cila në tërësi do t’i eliminojë ato komponentë që po e bëjnë prodhuesin vendor të pafavorshëm në raport me prodhuesit e shteteve të regjionit në vet territorin e Republikës së Kosovës, por edhe gjatë eksportit.
EO: Kur do të fillojnë ndryshimet e Pakos Fiskale, a kanë filluar apo kur pritet të dalë kjo?
Kelmendi: Nuk mund t’iu them se kur do të përfundojnë, por e di se gjatë javës së ardhshme do të fillojnë. Ekziston një interesim i madh i Qeverisë që këto kërkesa të shumta të ekonomive vendore të realizohen.
EO: A mendoni se bizneset do të ndahen të kënaqur me Pakon Fiskale 2?
Kelmendi: Do të presim. Meqenëse janë shqetësimet e tyre të shprehura qe një kohë të gjatë dhe do të shkojmë bashkërisht, do të kërkojmë edhe ndihmën e juaj që të bëni një intervistim në mënyrë që të shihet se a është Pakoja Fiskale 2 e duhura. Nëse nuk është e duhura ne do të ndërtojmë edhe Pakon Fiskle 3. Por, gjithnjë do të shkojmë në fuqizimin e prodhimtarisë vendore, në veçanti punësimin e të rinjve dhe të rejave në Republikën e Kosovës.
EO: Z. zëvendëskryeministër, muaj më parë ju keni kritikuar qeverinë aktuale që është duke ecur e hapa të ngadaltë në zhvillimin ekonomik, gjë që nuk sjell punësim të qëndrueshëm? Çfarë do të ndërmerrni ju në këtë drejtim?
Kelmendi: Unë në tërë karrierën time nuk kam kritikuar, por kam rekomanduar. Dhe rekomandimet kanë ndikuar që unë të jem pjesë e Qeverisë. Tashmë kam marr një pozitë që t’i realizojë rekomandimet e mia dhe besoj që shumë shpejt ato rekomandime të implementohen, por pres edhe kërkesat e ardhshme, që ekonomia gjithmonë do të ketë kërkesa që Qeveria e Republikës së Kosovës do t’iu dalë ndihmë.
EO: A keni hapësirë të veprimit, sepse edhe z. Behgjet Pacolli i cili ishte zëvendëskryeministër po deklaron se nuk ka pasur hapësirë veprimi?
Kelmendi: Kjo është… Pozita ime është më ndryshe, unë jam më aktiv, i detektojë të gjitha kërkesat dhe i realizojë, për arsye se kam gjetur mbështetjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, kam gjetur mbështetje edhe te ministritë, mund të them që të gjithë ministrat e kanë përqafuar prezencën time, duke e ditur që unë vi nga sfera e biznesit dhe i njoh jashtëzakonisht kërkesat e arsyeshme të tyre dhe jam në mbështetje të realizimit të tyre. Prandaj kemi një diferencë, ajo diferencë vërehet dhe besoj që do të proklamohet sa më shumë.
EO: Z. Zëvendëskryeministër, më parë keni qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pastaj e Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë jeni pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, a është arsyeja e postit të zëvendëskryeministrit apo çka që iu bashkuat kësaj të fundit?
Kelmendi: Shiko, çdo kush e ka një synim në jetë. Ndryshimet politike, d.m.th ndryshimet në partitë politike janë ligjore. Dhe unë ju them gjithmonë që ata që nuk e arrijnë qëllimin e vet lirisht mund të ndryshojnë, por ndryshimet e mia që unë i kam bërë, kjo tregon që unë nuk kam qenë i varur nga partitë politike, por kam qenë një person dhe aktivist i pavarur dhe gjithmonë lëvizjet e mia nuk kanë mundur të pengohen, as të shantazhohen. Kjo tregon që pavarësia ime politike gjithmonë ka qenë dominante dhe lëvizjet e mia i konsideroj si lëvizje ligjore dhe kushtetuese për të cilat nuk kisha dashur të merret askush me to.