Kelmendi: KEDS, të marrë masa urgjente të furnizojë qytetarët me rrymë

Prishtinë | 07 Jan 2017 | 14:28 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, kërkon nga kompania kosovare për shpërndarje dhe furnizim të energjisë elektrike (KEDS) që të furnizojë me rrymë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kelmendi ka thënë se mungesa e furnizimit me energji në shumë pjesë të Kosovës, nuk duhet justifikuar me deklarime “sa për të thënë” në media. Sipas tij, kjo përveç që dëmton rëndë zhvillimin ekonomik dhe turizmin, rëndon jetën e ekonomive tona familjare.

Kelmendi ka theksuar se KEDS-i po investon në rajonet e lehta duke anashkaluar rajonet vitale.

Ai i ka bërë thirrje KEDS-it, që të marrë masa urgjente, që të sanojë dëmet kudo ku kanë ndodhur dhe rryma të ri-kthehet kudo ku mungon dhe veçanërisht të intervenohet në zonat e thella…

Postimi i plotë i Kelmendit:

“Mungesa e furnizimit me energji në shumë pjesë të Kosovës, nuk duhet justifikuar me deklarime “sa për të thënë” në media. Kjo e dëmton rëndë zhvillimin ekonomik dhe turizmin, ndërsa që rëndon jetën e ekonomive tona familjare.

Mungesa me furnizim me energji, tash e sa ditë vetëm në zonën turistike të Rugovës sjellë dëme të pa-riparueshme në ekonomi dhe në turizëm të shtetit.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike KEDS, ka marrë përgjegjësi në kohë, të cilat duhet zbatuar në përpikëri. Kjo kompani duhet rishikuar dinamikat dhe projektet e veta investive. KEDS po investon në rajonet e lehta duke anashkaluar rajonet vitale, turistike e ekonomike. KEDS duhet të identifikojë dobësitë e veta menagjeriale. Një shkaktarë mund të mbetet edhe reduktimi i numrit të punonjësve,që kjo kompani e ndërmori më parë.

Duhet të kuptohet se KEDS ka obligime kontraktuale, që të furnizojë me energji elektrike në mënyrë stabile, edhe kur jemi në kushte ekstreme të jashtëzakonshme.

Duhet kuptuar se ekonomitë që po dëmtohen, me të drejtë kërkojnë kompenzim për dëmet e shkaktuara dhe shpenzimet e shtuara. Ekonomitë, parapagues të rregullt të shpenzimit të energjisë, në mungesë të saj, detyrohen të përdorin forma tjera alternative të furnizmit me energji (me gjenerator) dhe kjo është e kushtueshme në koston e shpenzimit të tyre total.

Qytetari/konsumatori nuk duhet të ketë pasoja edhe tash.

Si zv/Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndajë shqetësimin me qytetarët e vendit, për këtë problem i cili tashmë është bërë dukuri në vendin tonë, pothuaj në të gjitha stinët e vitit, jo vetëm në dimër.

Si zv/Kryeministër, jam duke u angazhuar dhe në kontakt me të gjitha dikasteret institucionale përkatëse që kjo çështje të merr një drejtim, një të vërtet, se pse po ndodhin këto gjëra.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme