Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Ramiz Kelmendi, ka thënë se ai personalisht nuk ka ndonjë averzion ndaj presidentit Thaçi, por do t’i qëndroj besnik qëndrimit të LDK-së.
“Nuk kam ndonjë averzion për Thaçin, e kam votuar [si president] nuk mundem me mohuar, por e mbaj qëndrimin e LDK-së”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Kelmendi ka thënë se ka dyshime që njerëzit e akuzuar nga Gjykata Speciale mundë të bëjnë lëshime (në procesin e dialogut me Serbinë).
“Është një përgjegjshmëri dhe dyshueshmëri se ka rrezik që njerëzit e akuzuar nga Gjykata Speciale mos po veprojnë për lirime nga kjo gjykatë, bëjnë lëshime të ndryshme”.
Duke folur gjithnjë për presidentin Thaçi dhe rolin e tij në bisedimet me Serbinë, Kelmendi vlerëson se rreziku pikërisht shihet nga ndonjë vendim i ndikuar nga presioni i Gjykatës Speciale.
“Lirimet nga Gjykata Speciale janë elementi kryesor që paraqet rrezikun se [Thaçi] mundet me pru ndonjë vendim”.
Kelmendi ka thënë ndër të tjera se ata të cilët na kanë çliruar mund të përcaktojnë edhe shtrirjen e kufijëve të Kosovës.
“Ata që na kanë çliruar na kanë vendos një prerje kur i kanë vendos francezët në Mitrovicë, dhe vetëm ata që na kanë çliruar mund të përcaktojnë ku do të shkelë këmba jonë”, deklaroi Kelmendi duke thënë se është vetëm mendim i tij personal.