Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti sot përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të prirë nga kryetari Safet Gërxhaliu dhe anëtarët e kryesisë së Odës.
Sipas njoftimit të Qeverisë në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u bisedua për proceset ekonomike dhe angazhimet e Odës Ekonomike bashkë me 36 shoqatat e saj.
Zëvendëskryeministri Kelmendi shprehu përkushtimin e Qeverisë që të adresojë të gjitha çështjet e ngritura dhe së bashku të ofrohen zgjidhje më të mira në funksion të përmirësimit të mëtutjeshëm të klimës së biznesit në Kosovë.
Në takim palët u dakorduan për luftimin e mëtejmë të punësimit joformal, që do t’i hapte mundësi Qeverisë së Republikës së Kosovës të punojë më tutje në lehtësirat fiskale.
“Qeveria e Republikë së Kosovës është e angazhuar që të barazojë akterët ekonomik në Republikën e Kosovës, në veçanti ata prodhues, në raport me akterët tjerë ekonomikë që kanë shitje në territorin e Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Gjatë ditës, zëvendëskryeministri Kelmendi, u takua edhe me Klubin e Prodhuesve të Kosovës, ku prezentë ishin kryetari i Klubit, Visar Kelmendi dhe drejtoi ekzekutiv, Astrit Panxha.
Në takim, me theks të veçantë u bisedua për zhvillimin dhe fuqizimin e prodhimtarisë vendore, politikat fiskale dhe masat stimulative që mund të formohen nga të hyrat e krijuara nga zvogëlimi i informalitetit për të rritur eksportin e prodhimeve të Kosovës jashtë vendit, duke përfituar edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Zëvendëskryeministri Kelmendi do të vazhdojë takime të ngjashme edhe me asociacionet tjera për të përmbyllur ciklin e kërkesave të arsyeshme që kanë këto asociacione për fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e punësimit.