Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA), të kryesuar nga drejtoresha, Nora Zhilivoda dhe anëtarët e Bordit të kësaj shoqate.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi i njoftoi përfaqësuesit e shoqatës për politikat zhvillimore të Qeverisë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe mbështetjen e bizneseve, duke theksuar se pako e dytë fiskale e cila është në proces, do të krijoj lehtësira të tjera në zhvillimin ekonomik.
Zëvendëskryeministri Kelmendi, po ashtu përshëndeti iniciativën e Shoqatës për organizimin e një panairi nga fusha e tekstilit në Kosovë, në të cilin do të ftohen edhe biznese nga vendet e jashtme për mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve biznes-ore dhe eksportit të këtyre produkteve.
Përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve, e informuan zëvendëskryeministrin për aktivitetet e shoqatës, për zhvillimin e hovshëm të biznesit në fushën e prodhimit të tekstilit brenda vendit, e po ashtu edhe për eksportin e këtyre mallrave në vende të ndryshme.
Në takim, po ashtu u diskutua edhe për sfidat e të bërit biznes, me ç’rast përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve falënderuan për lehtësirat që Qeveria e Kosovës ka bërë dhe po bënë për bizneset vendore.