Kelmendi: Qeveria do të mbështesë zhvillimin e zejtarisë

Prishtinë | 06 Dhj 2016 | 17:34 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi vizitoi sot komunën e Gjakovës dhe u prit në takim nga kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari- Lila.

Gjatë takimit u diskutua për çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik lokal me theks të veçantë për mundësitë e stimulimit të prodhimit vendor.

Zëvendëskryeministri Kelmendi theksoi se qëllimi i vizitës së tij është për të parë nga afër mundësitë e ndihmës për këtë komunë.

“Në komunën e Gjakovës ka shumë sipërfaqe të objekteve industriale të papërdorura e që janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të komunës së Gjakovës dhe të Republikës së Kosovës. Jemi interesuar se si t’i shtyjmë këto procese në mënyrë që këto sipërfaqe të shndërrohen në zona ekonomike dhe të jenë në dispozicion të komunave për t’ju dhënë në mbështetje investitorëve ekzistues dhe të rinj të cilët paraqiten për vetëpunësim apo për investim të mëtutjeshëm”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari -Lila ka njoftuar zëvendëskryeministrin Kelmendi me punën që po bënë komuna për themelimin e Parkut të Biznesit, si dhe për skemën e granteve që ka komuna për bizneset e vogla.

“Ne pajtohemi në shumë pika me zëvendëskryeministrin Kelmendi për domosdoshmërinë e stimulimit të prodhimit, për domosdoshmërinë e angazhimit të madh të Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe të komunave në përmirësim të politikave fiskale dhe ne si komunë presim një bashkëpunim të hovshëm në javët dhe muajt në vijim në raport me kërkesat tona”, tha kryetarja Kusari- Lila.

Gjatë vizitës në Gjakovë, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi Shoqatën e Zejtarëve ku u prit nga kryetari i kësaj shoqate, Ali Haraçija.

Zëvendëskryeministri Kelmendi vlerësoi punën që bëjnë zejtarët, që janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Është një shoqatë e cila e kultivon kulturën tonë, ka një pjesë të zejeve të ndryshme që dëshirojmë që të trashëgohet. Ne do të shohim si Qeveri e Republikës së Kosovës çka mund të bëjmë me politikat e tatimeve në mënyrë që kjo shoqatë dhe këta zejtarë të mbijetojnë dhe ta shtyjmë më tutje procesin e mirëmbajtjes kulturore që e ka Gjakova”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kryetari i shoqatës e mirëpriti interesimin e zëvendëskryeministrit për të ndihmuar këtë shoqatë.

“Çështja e zejtarëve në Kosovë patjetër duhet të përkrahet dhe duhet të inkurajohen sa më shumë zejtarët për të ardhur deri tek zhvillimi i zejtarisë”, tha Haraçija.

Në Gjakovë zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi edhe fabrikat e tekstilit “Creative”, “Jeans West” e “TB-TRIKO”, si dhe Qendrën Tregtare “Nertili” .

zvkm-002

zvkm-01

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme