Kelmendi vizitoi Komunën e Vitisë dhe bizneset lokale

Viti | 25 Pri 2017 | 16:08 | Nga

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi komunën e Vitisë, ku u prit nga kryetari, Sokol Haliti.

Pas takimit zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se njoftua për së afërmi me çështjet zhvillimore të Komunës.
“Biseduam lidhur me atë se çfarë Qeveria mund të bëjë më tutje për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti, në zhvillimin e bujqësisë dhe në të gjitha sferat tjera”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Zëvendëskryeministri Kelmendi tha se qëllimi ynë është që t’i njoftojmë bizneset me politikat qeveritare, dhe lehtësirat që jemi duke krijuar për bizneset.

“Jemi duke punuar shumë në legjislacion, i cili ka qenë pengesë serioze e zhvillimit ekonomik. Pakoja Fiskale 1, ka krijuar një ambient të jashtëzakonshëm për prodhimtari, por edhe Pakoja Fiskale 2, që është në përgatitje e sipër, besoj që shumë shpejt do të jetë një rilindje për biznesin prodhues”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Më tej kryeministri Kelmendi tha se Qeveria është duke bërë shumë edhe për bujqësinë, poashtu iu është dhënë mbështetje ideve dhe bizneseve të reja, duke krijuar një ambient të mirë për të gjithë investitorët.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se ndjehet mirë që zëvendëskryeministri Kelmendi po e viziton komunën e Vitisë, duke vlerësuar rolin e tij përkrahës për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Biseduam për zhvillimin ekonomik, për pushtetin lokal, sukseset e kësaj komune, rezultatet e arritura, por edhe vështirësitë dhe sfidat”, tha kryetari Haliti.

Kryetari Haliti tha po ashtu se u bisedua edhe për zonën ekonomike, pasi Komuna e Vitisë është certifikuar për zonë ekonomike, për ambientin e të bërit biznes, për bujqësinë si dhe mundësitë e shfrytëzimit të potencialit që lidhen me këtë fushë.

Më pas zëvendëskryeministri Kelmendi i shoqëruar nga kryetari i Komunës, vizitoi Zyrën për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve, ku u njoftua nga afër me punën dhe aktivitetet e saj.

Poashtu, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi edhe Fabrikën e prodhimeve metalike “Vinex”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme