Këngëtari Gjesti dyshohet për disa vepra penale, ndalohet për 48 orë nga Prokuroria në Prishtinë

Prishtinë | 11 Mar 2026 | 20:12 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar për disa vepra penale, i cili për opinionin publik njihet si këngëtari Gjesti.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘Kanosja’ sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë’ në bazë të nenit 321 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria bëri të ditur se i ndaluari është i njohur për publikun si këngëtari Gjesti.

Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me këtë rast.

“Për shkak të fazës së hershme të procedurës hetimore dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë lidhur me rastin”, thuhet më tej në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe do të vendosë për masat e mëtejshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme