Këngëtarja çeke Hana Horka, një kundërshtare e vaksinimit kundër koronavirusit, ka vdekur në moshën 57-vjeçare pasi u infektua qëllimisht me virus për t’u bindur se ai ekziston, njoftoi familja e saj.
Djali i saj Jan Rek tha për radion publike iRozhlas.cz se nëna e tij refuzoi të vaksinohej dhe e ekspozoi qëllimisht veten ndaj virusit me të cilin ai dhe babai i tij, të dy të vaksinuar, u infektuan para Krishtlindjeve, përcjell Gazeta Express.
“Ajo vendosi që do të jetonte normalisht me ne dhe do të preferonte ta merrte virusin sesa të vaksinohej”, tha Rek.
Dy ditë para vdekjes, këngëtarja e grupit folklorik çek Asonance shkroi në rrjetet sociale: “Kam mbijetuar… Tani do të ketë koncerte, teatro, sauna, udhëtime në det”.
Në Republikën Çeke, prova e vaksinimit kërkohet për të hyrë në evente të ndryshme. Djali i saj fajësoi antivaksinuesit lokalë për vdekjen e nënës së tij dhe tha se ata e kanë “gjakun e saj në duart e tyre”.
“Unë e di saktësisht se kush e ka formuar mendimin e saj. Më vjen keq që ajo u besoi më shumë të huajve sesa familjes dhe tezave të saj për fitimin e imunitetit natyror ndaj ekspozimit ndaj sëmundjeve”, tha Jan Rek.