Historia e vërtetë e raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, po edhe viseve të tjera shqiptare, ende nuk është shkruar. Ka që mendojnë se as nuk duhet të shkruhet, po më mirë është të harrohen dështimet, keqkuptimet, manipulimet.
Pas ndarjes tragjike në rrokullimën e luftërave ballkanike, raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të mira. Ka pasur periudha kur nuk ka pasur kurrfarë kontaktesh. Ka pasur periudha në të cilat, brenda kontakteve minimale, është tentuar të krijohej perceptimi se janë marrëdhënie të mira.
Ky tentim ka qenë dominues në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi, të cilat duke qenë të pushtuara, kanë pasur nevojë të mbahen si për një fije kashte, për mitin e ndihmës që do t’u vinte nga Shqipëria, të cilën e ledhatonin me sintagmën me butësi fëmijërore, “shteti amë.” Në ndonjë rast edhe si “nëna Shqipëri.” Ka pasur periudha kur nga “shteti amë”, nga “nëna Shqipëri” në mënyrë naive kanë importuar ideologjinë më idiotike që ka ekzistuar, enverizimin stalinist, demek për të imituar e ndjekur “shtetin amë.” Në vend se të tentohej të mirrej nga shtetet evropiane ndonjë doktrinë politike, fjala vjen, socialdemokracia, liberalizmi, konservatorizmi, mirrej stalinizmi, versioni më kriminal i komunizmit.
Ndërsa, nga Shqipëria, krahas ndonjë episodi modest vullnetmirë, më të shumtën kanë ardhë veprime që esencialisht e kanë injoruar çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ose e kanë përdorë për interesat meskine të regjimeve në Shqipëri. Historia e vërtetë e raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, po edhe viseve të tjera shqiptare, ende nuk është shkruar. Ka që mendojnë se as nuk duhet të shkruhet, po më mirë është të harrohen dështimet, keqkuptimet, manipulimet.
“Ballkan Open” si surrogat i “Aleancës ballkanike”
Në fakt, historia e vërtetë duhet të shkruhet edhe në këtë rast, po deri sot nuk është shkruar sepse ka qenë e mbuluar nga ngjarje të tjera të hidhura, veçmas nga pasojat e rënda që ka lënë pushtimi njëshekullor serb e jugosllav mbi Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi (Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe në Malin e Zi.) Trauma e atij pushtimi të gjatë e të tmerrshëm ende nuk është shëruar, prandaj as sot nuk ka hapësirë të mjaftueshme që kjo temë të diskutohet pa ngarkesa emocionale dhe pa shtrembërime të qëllimshme.
Nuk do të ishte problem shtyerja për më vonë e këtij diskutimi, nëse nuk do të prodhoheshin keqkuptime të reja, në realitetet e sotme. Fjala vjen, iniciativa “Open Ballkan”, është një keqkuptim i rëndë ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, i shkaktuar qëllimisht nga qeveria arrogante e Edi Ramës, e cila në këtë iniciativë është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës. Por, e mira që mund të prodhojë kjo arrogancë e qeverisë Rama është se në Kosovë mund ta dekonstruktojë përfundimisht prirjen iredentiste, e cila në realitetet e reja të ekzistimit të Kosovës si shtet më vete, thjesht është një prirje mazohiste dhe në të njëjtën kohë infantile.
Ky moment do të duhej të përdorej për kthjellimin e elitave të lodhta shqiptare në Kosovë, që të braktisin narracionet infantile për bashkimin pa kushte me Shqipërinë e të ballafaqohen me sfidën se si ta bëjnë Kosovën një shtet të suksesshëm. Pse jo edhe konkurues për të qenë Piemont shqiptar, në realitetet e reja.