Jo vetëm qytetarët i thyejnë rregullat e bëjnë vepra penale. Deri sot ka pasur raste që edhe punonjësit e Policisë së Kosovës i kanë thyer rregullat.
Që nga 1 janari e deri më 30 shtator, 30 zyrtarë policor janë arrestuar, ndërsa 74 janë suspenduar.
Kështu kanë bërë të ditur nga Inspektoriati Policor i Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, nga ky institucion kanë thënë që nën dyshimin se kanë kryer vepra penale, nën hetime janë 157 punonjës policor.
Ndërsa, sipas IPK-së, veprat më të shpeshta janë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publike, lëndim i lehtë trupor , dhuna në familje dhe kanosja.
“Për dyshimin se kanë kryer vepra penale, nga IPK janë duke u hetuar gjithsej 157 punonjës të policisë. Gjatë hetimeve të rasteve penale nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, veprat më të shpeshta kanë qenë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publike, lëndim i lehtë trupor , dhuna në familje dhe kanosja“, kanë thënë nga IPK.
Gazeta Sinjali, më 25 qershor ka raportuar ekskluzivisht, për një rast në Prizren, ku Njësia Speciale e Policisë kishte keqtrajtuar qytetarët brenda stacionit policor.
E pas raportimit të Sinjalit, për këtë rast, janë arrestuar rreshteri Sami Hoti dhe zyrtarët policorë Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi e Albert Perzhaku.
Në pamjet e publikuara shihet që rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij kanë torturuar e poshtëruar disa qytetarë të Prizrenit që ishin duarlidhur.
Ndërsa më 29 janar, Sinjali ka raportuar se Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është arrestuar mbrëmë për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.