Për lejen e transportimit të armëve ruse në Serbi, përmes vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të NATO-s, i është lënë secilit shtet anëtar të vendosë vetë, por drita jeshile, veçanërisht në rastin e vendeve të caktuara, mund të jetë një sinjal për mosmarrëveshje.
Gjatë dy vjetëve të kaluara, nga Rusia janë sjell dhe dorëzuar në Serbi, si blerje ose si donacion, sistemi rus i raketave anti-ajrore “Pancir S1”, tanket luftarake T-72 dhe automjetet e blinduara BRDM-2.
Sipas të dhënave dhe deklaratave të zyrtarëve, armët dhe pajisjet ushtarake u sollën në Serbi nga Federata Ruse përmes rrugëve ajrore dhe lumenjve. Të dhënat mbi fluturimet dhe transportin tregojnë se armët ruse arritën në Serbi, pjesërisht përmes territoreve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe të NATO-s.
Reagimi i vetëm, deri më tash, ka arritur nga Rumania, e cila në vitin 2019, bllokoi dërgimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar rusë përgjatë Danubit.
Përderisa nga Komisioni Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se vendimet për lëshimin e lejeve për tranzit merren nga vendet anëtare të bllokut evropian, në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me kompetencat e tyre. Ndërkaq, NATO-ja është përmbajtur nga komentimi lidhur me atë që armët ruse të destinuara për Serbinë transportohen përmes vendeve anëtare të Aleancës.
Megjithatë, sipas Ted Galen Carpenter, bashëpunëtor i lartë për studime të mrojtjes dhe politikës së jashtme në Institutit Cato në Uashington, raportimet për bashkëpunimin e Bullgarisë për lehtësimin e dërgesave të armëve ruse në Serbi, mund të shkaktojnë mospajtime domethënëse brenda NATO-s.
„Teorikisht, të gjithë anëtarët e Aleancës kanë të drejtën sovrane për të marrë vendime të tilla. Por, realiteti është se anëtarët janë nën presion që të mos lëshohen në sjellje të pazakonshme në çështjet kryesore politike ose ushtarake“, tha Carpenter, duke shtuar se kjo ështe veçanërisht e vërtetë në rast se Shtetet e Bashkuara (SHBA), si udhëheqëse e NATO-s, kanë një qëndrim të fortë lidhur me këtë çështje.
Të gjitha detajet lidhur me transportimin e armatimit rus dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia në Serbi janë shënuar si sekrete nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Radio Evropa e Lirë ka paraqitur një ankesë tek komisioneri për shkak se Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar që të sigurojë informacionin e kërkuar në përputhje me Ligjin për qasje të lirë në informacione me rëndësi për publikun.
“JO“ e Rumanisë për transportin e automjeteve të blinduara ruse
Transporti i armëve ruse nga Rusia në Serbi tërhoqi vëmendjen e publikut në korrik të vitit 2019, kur Ministria e Punëve të Jashtmee Rumanisë, e cila është gjithashtu anëtare e BE-së dhe NATO-s, refuzoi të lëshojë një leje tranziti për 10 automjete të blinduara ruse BRDM-2, të cilat Rusia ia dhuroi Sebisë, duke arsyetuar vendimin me atë që sanksionet që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, janë ende në fuqi.
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kishte dekaruar atëherë që automjetet ishin sjellë përmes rrugës ajrore „përkundër kundërshtimeve të disave“, duke mos dhënë detaje më të shumta lidhur me atë se në çfarë mënyre është realizuar transporti.
„Për këtë nuk dëshiroj të flas. I kemi respektuar normat e të drejtës publike ndërkombëtare dhe gjithçka ka qenë në harmoni me marrëveshjen me Rusinë. Ia dolëm që t’i sjellim. Si dhe kah kanë ardhur, kjo është çështje e jona“, u ka thënë Vuçiq gazetarëve, më 29 korrik, në Nish, pas pranimit të automjeteve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, ka theksuar që për dhënien e lejes për tranzit për transportimin e pajisjeve ushtarake, nevojitet plotësimi i disa kushteve, sikur që edhe leja mund t’i lëshohet vetëm një operatori rumun.
„Njëra prej këtyre kushteve thotë që shërbimi i ofruar nga operatori rumun, nën një leje tranziti, nuk duhet t’i shërbejë drejtpërdrejtë ose jodrejtpërdrejtë interesave të një individi, personi juridik, entiteti ose organi nga Federata Ruse dhe nuk duhet të jetë i destinuar për përdorim në Federatën Ruse“, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, duke u thirrur në një përgjigje të vendimit të vitit 2014 të Këshillit të BE për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë.
„Ky kusht, në rastin konkret, nuk ishte përmbushur, kështu që nuk ka qenë e mundur që të lëshohet leja nga ana e organit kompetent të Rumanisë“, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë.
Qeveria e Hungarisë, në shtator të vitit 2019, ka konfirmuar se ky vend, përkundër sanksioneve të BE-së, ka lejuar transportin e automjeteve të blinduara nga Rusia në Serbi, për shkak se ky transport është kryer me aeroplan civil, për çka nuk është e domosdoshme leja, kanë transmetuar mediat hungareze.
Në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Drejtoria e aviacionit civil të Serbisë, ka thënë se nuk posedon informacionin për aeroplanin civil nga Federata Ruse, i cili ka ateruar në territorin e Serbisë, në periudhën ndërmjet 26 dhe 29 korrik 2019.
Pas kërkesës së Radios Evropa e Lirë, faqja e internetit, FlightRadar24, e specalizuar për ndjekjen e fluturimeve, në bazë të të dhënave të disponueshme, paraqiti fotot e fluturimit nga data 26 korrik 2019, për të cilat thanë se korrespondonin me parametrat e kërkuar, gjegjësisht me të dhënat për një avion civil nga Federata Ruse që dorëzoi automjete të blinduara në Serbi.
Në fotografitë e dërguara shihet qartë që aeroplani nga Rusia, në drejtim të Serbisë , ka kaluar Detin e Zi dhe hapësirën ajrore të Bullgarisë, ndërsa për t’u kthyer, ai përdori hapësirën ajrore të Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Bjellorusisë.
“Më 26 korrik, aeroplani Ilyushin IL-76 u ul në Beograd, rreth orës 3 pasdite (sipas kohës lokale) nga një destinacion në Rusi. Ai u nis për në Moskë rreth orës 17:40“, deklarojnë në FlightRadar 24, me vërejtjen se nuk e disponojnë rrugën e plotë dhe të gjitha të dhënat e fluturimit.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar instutuioneve kompetente në Sllovaki dhe Poloni.
Në një përgjigje me shkrim nga Drejtoria e aviacionit civil e Polonisë, kanë theksuar që nuk mund të konfirmojnë që ndonjë aeroplan transportues ushtarak rus për Serbinë, ka hyrë / ka kaluar nëpër hapësirën ajrore të Polonisë në korrik të vitit 2019.
„Drejtoria e avicionit civil të Polonisë nuk ka qenë e informuar për një fluturim dhe ngarkesë të tillë, ndërkaq që të dhënat që i disponojnë institucionet kompetente, nuk tregojnë që një fluturim i tillë është realizuar“, kanë deklaruar nga ky institucion.
Në anën tjetër, Ministria sllovake e Transportit, në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, deklaroi se kishin marrë një kërkesë për një fluturim nga një operator i aviacionit civil rus, i cili rregullisht e përdorë hapësirën ajrore të Sllovakisë, në përputhje me rregullat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
„Operatori na ka lajmëruar për dërguesin dhe pranuesin, prej të cilëve asnjëri nuk ka qenë i shënuar si organizatë ushtarake. Dërgesa është përshkruar me shprehjen e përgjithshme „automjete“ dhe operatori i aviacionit ka deklaruar që (ngarkesa) nuk përmban armë dhe municion“, ka theksuar Ministria e Transportit e Sllovakisë.
Gjithashtu, kjo ministri ka theksuar se e ka shqyrtuar kërkesën dhe ka dhënë leje për fluturim, marrë parasysh që janë dorëzuar të gjitha dokumentat e vlefshme të kërkuara, si dhe që „nuk ka pasur arsye ligjore që të refuzohet leja për fluturim“.
Opinioni ende është i privuar nga informacioni lidhur me atë se në pronësi të kujt ka qenë aeroplani civil, me të cilin janë sjellë në Serbi automjetet e blinduara ruse dhe as për atë se sa ka kushtuar transporti dhe kush i mbuloi shpenzimet e dërgesës së tyre në Serbi.
Në fillim të marsit 2020, me dërgesën e katërt të pjesëve të sistemit kundërajror rus „Pancir“, është kompletuar sistemi i raketave, të cilin Serbia e bleu nga Rusia.
Sipas të dhënave të faqes së specializuar flightradar 24.com, aeroplani rus Antonov 24 „Ruslan“, ka nisur fluturimin nga aeroporti i Moskës „Vnukovo“, më 3 mars dhe në orën 12:59 të pasditës, sipas kohës së Evropës së Mesme, për të zbritur në aeroportin ushtarak në Batajnica, pas më shumë se katër orës fluturim. Ashtu si në rastin e automjeteve të blinduara, itinerari kaloi përsëri nëpër territorin e Bullgarisë.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila ka refuzuar që të ofrojë përgjigje lidhur me pyetjen se për çfarë arsye Bullgaria, si anëtare e BE-së dhe NATO-s ka marrë vendimin që të lejojë transportin e armëve dhe pajiseve ushtarake ruse përmes territorit të saj.
Për shkak të marrjes së sistemit raketor rus, kanë reaguar edhe Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, zëdhënësi i Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Peter Stano ka deklaruar që është e nevojshme që Serbia ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e Bashkimit Evropian.
„Qeveria e Serbisë e ka shënuar integrimin në Bashkimin Evropian si një prioritet strategjik të shtetit. Ne presim që Serbia të sillet në përputhje me detyrimet që ka marrë përsipër“, pati thënë Stano atëherë.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë që të heqë dorë nga blerja e armëve nga Rusia, si dhe që kjo mund të rezultojë me sanksione kundër Serbisë.
“U bëmë thirrje të gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, të clat do të mund të sjellin deri te vendosja e sanksioneve sipas Ligjit për kundërshtimin e kundërshtarëve të Amerikës përmes sanksioneve (CAATSA)”, ka thënë Departamenti i Shtetit në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, më 24 shkurt, duke komentuar dërgesën e pjesës së parë të sistemit rus “Pancir 1” në Serbi, tre ditë më herët.
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në një deklaratë në muajin dhjetor 2019, ka thënë që Serbia “do të ngadalësojë blerjen e armatimit të ri”.
Kontrolli i eksportit dhe tranzitit të armatimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i nënshtrohen legjislacionit nacional, Qëndrimit të përbashkët të Këshillit të BE-së për kontrollin e eksportit të teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe Marrëveshjes pë tregëtinë me armë, thuhet në një përgjigje me shkrim të Komisionit Evropian ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë.
„Këto rregulla janë juridikisht obliguese për të gjitha shtetet anëtare dhe zbatohen nën përgjegjësinë e tyre dhe nën mbikëqyrjen e institucioneve nacionale“, thotë BE-ja.
Qëndrimi i përbashkët i BE-së, siç shpjegojnë, në mesin e dispozitave të tij themelore, përcakton tetë kritere për vlerësimin e rrezikut për një aplikim për eksport dhe tranzit armësh, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare nga vendi i destinacionit të fundit, si dhe ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Vendimi për atë se a do të miratohet apo refuzohet eksporti ose tranziti, i mbetet të drejtës për diskrecion të vendeve anëtare. U mbetet institucionet nacionale që të zbatojnë kontrollin“, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Komisioni Evropian thotë që shtete anëtare, një herë në vit raportojnë për lejet e tyre për eksport, si dhe për eksportin e vërtetë të armëve konvencionale dhe se raporti vjetor i BE-së për eksportin e armëve është i qasshëm përmes bazës së të dhënave, por që të dhënat specifike për lejet për tranzit nuk janë të përfshira në bazën e të dhënave.
NATO: Kjo është çështje për Rumaninë dhe Bullgarinë
Në NATO nuk kanë dëshiruar që të komentojnë tansportin e armatimit rus dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia në Serbi, një pjesë e të cilit zhvillohet edhe përmes territoreve të anëtarëve të NATO-s. Në përgjigjen e dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo organizatë ka udhëzuar që t’iu drejtohemi organeve kompetente të Rumanisë dhe Bullgarisë.
Lidhur me intensifikimin e bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe blerjes së armatimit, në NATO thonë që blerjet në sferën e mbrojtjes janë me vendim nacional.
“NATO dhe Serbia janë partner të afërt dhe ne jemi të përkushtuar që ta forcojmë partneritetin tonë me Serbinë, njëkohësisht duke respektuar plotësisht politikën e saj për neutralitet”, ka thënë NATO-ja, duke shtuar që Serbia ka të drejtë që lirshëm të zgjedhë arazhmanet e saj politike dhe të sigurisë.
“Njëkohësisht, është e rëndësishme të merren parasysh shpenzimet e tërësishme për blerjet në sferën e mbrojtjes”, ka theksuar NATO.
Carpenter: “Kundërshtimi me standarde” mund të krijojë probleme
Megjithatë, Ted Galen Carpenter nga Instituti Cato në Uashington, shpjegon që “kundërshtimi me standarde” i NATO-s i ka nxitur probleme të mëdha Turqisë, sidomos nën dritën e blerjes së sistemit raketor kundërajtor S-400, të cilën Ankaraja e ka blerë nga Rusia në vitin 2019.
Kur bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe ushtarako-teknik, Carpenter thekson që Uashintoni e ka bërë mjaft të qartë që dëshiron që të përjashtojë ndikimin e Rusisë në rajon.
“Liderët amerikan me siguri që do të jenë shumë të pakënaqur me bashkëpunimin e dukshëm të Sofjas. Ndnëse disa anëtare të NATO-s (p.sh. Hungaria, Çekia, Turqia, Greqia, Italia) favorizojnë një politikë më të butë në përgjithësi ndaj Rusisë, është pak e besueshme që lidhur me këtë çështje do ta mbështesin Bullgarinë – ose cilindo shtet tjetër që e ndihmon Rusinë”, konsideron Carpenter.
Çështja e transportit të armatimit rus në Serbi përmes territoreve të anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, siç thotë për Radion Evropa e Lirë, Mark Galeotti nga Instituti mbretëror në Londër (Royal United Services Institute), është para së gjithash çështje për BE-në.
“NATO-ja, si e tillë, nuk ka vënë sanksione, por BE-ja po. Janë sanksionet (ndaj Rusisë) ato, të cilat Rumania i ka potencuar si arsye për mosdhënien e lejees për tranzit”, tha Galeotti.
Ai thekson që shtete anëtare të NATO-s janë plotësisht sovrane në kuptimin e sjelljes së vendimeve për dhënien e lejeve për tranzitin e armëve.
“Nga ata pritet që të shqyrtojnë sanksonet, por shtete vet i sjellin vendimet. Marrë parasysh që Hungaria, siç pretendohet, i ka lejuar gjithashtu dërgesat e tiilla, si dhe që BE-ja ka probleme të veta shumë më të mëdha, nuk besoj që kjo do të jetë çështje e rëndësishme”, theksoi Galeotti.
Kur bëhet fjalë për ndikimin që Rusia e realizon në Ballkanin Perëndimor përmes përbarimit të bashkëpunimit ushtarak dhe ushtarako-teknik me Serbinë, Galeotti thotë që shumica e armatimit të sjellur është nga koha e Bashkimit Sovjetik, sikurse që janë automjetete e blinduara BRDM-2, të cilat janë futur në përdorim operativ në vitin 1962.
“Serbët me qejf i presin dhuratat ruse dhe u janë falenderues për këtë, por prioriteti i vërtetë për Beogradin janë lidhjet më të afërta me BE-në, sepse atje janë paratë”, vlerësoi Galeotti.
Serbia po i pret edhe tanket ruse
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka konfirmuar që në Serbi do të arrijnë nga Rusia tanket T-72 dhe vlerësoi se to do të forcohet përgatitja luftarake e Ushtrisë së Serbisë.
“Duhet të arrijnë 30 tanke bashkëkohore T-72, si pjesë e marrëveshjes ‘Vuçiq-Putin’ në Soçi. Ato do të forcojnë në mënyrë domethënëse aftësitë tona luftarake”, ka thënë Stefanoviq për televizionin serb Pink, më 1 nëntor.
Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.
Mediat kanë lajmëruar që tanku i parë, nga gjithësej 30 tanket ruse T-72 që janë në kuadër të donacionit të Rusisë për Ushtrinë e Serbisë, është sjellur në Serbi më 28 tetor.
Bëhet fjalë për një pjesë të donacionit rus, i cili përbëhet nga 6 aeroplanë gjuajtës MiG-29, 30 automobilë të blinduar për vëzhgim BRDM-2 dhe 30 tanke T-72, në bazë të marrëveshjes së presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigu, të vitit 2016.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, në vitin 2019, refuzoi kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të paraqitur kopjet e marrëveshjes për donacionin. Ministria e Mbrojtjes e Serbise, atëherë e kishte theksuar si arsyetim që kontratat e kërkuara “përmbajnë të dhëna sekrete të huaja, gjegjësisht të dhëna që i janë besuar Republikës së Serbisë nga ana e një shteti tjetër, me obligimin që t’i ruaj si sekrete”.
Lidhur me këtë dërgesë, opinioni ende është privuar nga informacionet lidhur me atë se kush do t’i paguajë shpenzimet e transportit dhe sa gjithësej do të jenë shpenzimet.