Gazetari i DTV, Korab Rexhepi, ka pranuar disa mesazhe kërcënuese nga një person me inicialet M.B.
Rexhepi ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se këto kërcënime janë bërë pasi që M.B., i është ndërprerë telefonata e drejtpërdrejtë pas disa fjalëve banale që i njëjti kishte thënë në emisionin që gazetari drejton.
Në një nga mesazhet kërcënuese të M.B., thuhet se gazetarin “do ta zhdukë me gjithë familje”. Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto kërcënime janë të papranueshme dhe ftojmë Policinë e Kosovës që ta trajtoj rastin në mënyrë që kërcënuesi të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë që të mos hezitojnë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre jo vetëm në AGK, por edhe në Policinë e Kosovës.