Për shkak se ka filluar një nismë për të ndaluar me ligj filmat propagandistik komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, shkrimtari Agron Tufa ka marrë kërcënim në llogarin e tij në Facebook.
Këtë nismë ai e ka nisur bashkë me Erald Kapri ndërsa kërcënimi ka ardhur nga një person anonim.
Sipas Tufës, këta filma janë mbetje toksike, radioaktive e dëmshme për shëndetin moral publik.
“Mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë. Në News 24 kisha sqaruar, se: jo përjashtimisht të gjithë filmat të ndalohen. Por të bëhet një listë e kujdesshme e filmave (të pakët) që nuk përçojnë propagandë komuniste, si dhe: të gjithë filmat e ‘mbijetuar’ të paraprihen para transmetimit me një 5 minutësh hyrje, ku të shpjegohet se përse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj)”, ka deklaruar Tufa.