Gjyqtari i EULEX-it, Werner Kannenberg po pretendon se Ligji për “Trepçën”, është antikushtetues, edhe pse ditë më parë Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin se Ligji për “Trepçën” është kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedurat e ndjekura për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Por, në njoftimin për media të dërguar dje nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme bëhet e ditur se i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë Ligjin për “Trepçën”.
Lidhur me këtë avokati, Korab Sejdiu ka thënë për Telegrafin se kërkesa e gjyqtarit Kannenberg parashtruar Gjykatës Kushtetuese është e lejueshme.
“Gjyqtari Kannenberg, ka parashtruar një çështje që dallon dukshëm nga ajo që është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese kur ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën. Argumentet e parashtruara nga gjyqtari dhe arsyetimi që jep janë kuptimplote veçanërisht lidhur me të metat përmbajtjesore që përmban Ligji për Trepçën, po edhe më me rëndësi, lidhur me dëmin që ky ligj ia bën sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra, kjo kërkesë është e lejueshme sepse ngritët nga një palë e autorizuar”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka theksuar se kjo kërkesë nuk bënë të merret si fundi i botës, pasi që sipas tij parashtrimi i kërkesës nuk detyron dhe prejudikon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur se a ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë si çështje të gjykuar, Sejdiu theksoi se gjasat janë që kjo kërkesë të refuzohet si e papranueshme.
“Gjykata rrjedhimisht, në Aktvendimin e parë ka shpallë Ligjin për Trepçën ‘kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedura e ndjekur për miratim’, duke pasur parasysh këtë, mund të thuhet se gjasat janë që kjo kërkesë të refuzohet sërish si e papranueshme, bazuar në vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Trepçën”, u shpreh Sejdiu.
Në anën tjetër analisti Imer Mushkolaj i ka thënë Telegrafit se Ligji për Trepçën nuk do të shfuqizohet.
“Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk besoj se do të sjellë tjetër aktgjykim. Ligji nuk do të shfuqizohet, por mund të amandamentohet në të ardhmen”, ka thënë Mushkolaj.
Gjatë ditës së djeshme lidhur me këtë kërkesë të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme drejtuar Kushtetueses për të shfuqizuar Ligjin për “Trepçën”, reagoi edhe Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky ligj nuk mund të kontestohet për nga ana kushtetuese nga ndonjë gjyqtar i Dhomës së Posaçme.