KALLXO.com ka siguruar aktvendimin me të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën që seancat ndaj ish-kryetarit të Apelit Salih Mekaj të mbahen të mbyllura.
Sipas aktvendimit kërkesa për mbylljen e seancës ndaj Mekajt u bë nga avokati Besnik Berisha që në këtë rast mbron Vlora Goranin.
Besnik Berisha është këshilltar i Kryeministrit Mustafa, ndërsa mbrojti në një proces gjyqësor djalin e Kryeministrit.
Në aktvendim gjithashtu vend të posaçëm zë fakti se kërkesa për mbylljen e seancës u mbështet edhe nga prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari.
Në aktvendimin e nxjerrë nga gjyqtari Shashivar Hoti me të cilin gjykimi ndaj kryetari të dorëhequr të Gjykatës së Apelit do të mbahet larg publikut, përveç se citohet neni përkatës i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës nuk jepen detaje tjera dhe askund nuk përmendet interesi i publikut kosovar për të ditur se cilat janë veprimet që rëndojnë njërin nga figurat kyçe të drejtësisë në Kosovë.
“1. Nga fillimi deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues me propozimin e palëve, ose sipas detyrës zyrtare, por gjithnjë pas dëgjimit të tyre, mund të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, ose nga një pjesë e tij, kur kjo është e nevojshme për:
1.4. mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, thuhet në aktvendim.
Në aktvendimin e gjykatës konstatohet se mbyllja e seancës ishte instrumenti i vetëm për të mbajtur larg publikut dhe mediave komunikimin e zhvilluar në mes të kryetarit të dorëhequr të Apelit, Salih Mekajt dhe të akuzuarës tjetër në këtë rast Vlora Gorani.
Lidhur me mbylljen e njërit nga proceset më të rëndësishme në vend, gjatë ditës ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndërsa Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, përmes rrjetit social Facebook e cilësoi vendimin të padrejtë.
“Vendimi për me e mbyllë seancën gjyqësore ndaj ish- kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj përveç që është i pa drejtë na tregon edhe një herë se sa i kujdesshëm është sistemi gjyqësorë për mos me ju dalë marret në shesh”, shkroi Gashi.
Gashi më tej thotë se pesha e detyrës që mbante Mekaj obligon që publiku të jetë i informuar për veprimet e tij.
“Sali Mekaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e nëse gjatë detyrës zyrtare akuzohet për vepra që munden me thy etikën, populli duhet me e ditë. Nuk është e drejtë që duke i mbyllë seancat me tentu me i mbyllë marret e drejtësisë,” shkroi Gashi më tej.
Gashi thotë se nëse do të duhej që procesi patjetër të mbyllej duhet të mbyllej vetëm pjesërisht, e në asnjë formë mbyllje e tërësishme në të gjitha fazat.