Lypsarët nëpër rrugët e qyteteve në Kosovë, janë vetëm njëri nga problemet me të cilat po përballet shoqëria kosovare.
Policia e Kosovës, është kontaktuar nga “Indeksonline” në lidhje me numrin e personave që kërkojnë lëmosh në Kosovë. Bazuar në statistikat e këtij institucioni, del se numri më i madh i lypsarëve është në Prishtinë, për të vazhduar me qytetin e Prizrenit, Gjilanit, Pejës dhe Ferizajit.
Gjatë vitit 2017, rrugëve të Prishtinës janë regjistruar rreth 175 lypsar, në Prizren 91, në Gjilan 37, në Gjakovë 21 kurse në Pejë vetëm 8 persona. Por duket se raste të tilla nuk janë regjistruan as në Mitrovicën e Veriut e as të Jugut.
Kur krahasohen këto statistika me ato të vitit 2016, shohim se ka pasur rënie të personave që kërkojnë lëmosh në Kosovë. Sipas këtyre statistikave numri më i madh i personave që kërkojnë lëmosh i takojnë komunitetit Rom, me një numër të përgjithshëm prej 217 personave.
Fëmijët që kërkojnë lëmosh, janë po ashtu një dukuri shqetësuese, ku në të gjitha qytetet e Kosovës janë regjistruar rreth 215 fëmijë. Dhe kur bëjmë krahasimin me numrin e të rriturve, që është rreth 250, del se diferenca është fare e vogël.
Në përgjigjen e zyrës për informim të Policisë së Kosovës, thuhet se ata kanë ndërmarr veprime ligjore për largimin e lypsarëve nga rruga.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarr veprime ligjore (me plane operative dhe me projekte) në largimin e lypsarëve nga rruga. Policia e Kosovës këto veprime i ka ndërmarr në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale dhe me partnerë tjerë bashkëpunues.” theksohet në përgjigjen e zëdhënësit Daut Hoxha.
Ndryshe, gjatë vitit 2016 janë regjistruar 465 persona që kërkojë lëmosh. Kurse ky numër ka pësuar rënie në vitin 2017, ku figurojnë 351 persona në statistikat e Policisë së Kosovës.