Kërkohen ndryshime në sistemin zgjedhor, shoqëria civile kërkon monitorim për mënyrën e financimit të partive politike

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 12:59 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar tryezë për Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën: “Transparenca në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

Aty kanë marrë pjesë drejtues të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile

Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se institucioni që ai drejton ka nevojë për ndryshim të sistemit zgjedhor.

Për këtë ai pranoi që ka nevojë për reformim, por shtoi se Kosova ka avancuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Natyrisht që kemi ligj të vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje apo ndoshta edhe ndryshim të sistemit zgjedhor, ajo le të mbetët një çështje që do ta trajtojnë partitë politike, së bashku me ne apo edhe me shoqërinë civile, por një ligj i ri është shumë i nevojshëm për t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të disa organizatave të tjera që kanë jep rekomandimet e tyre”, ka thënë Radoniqi.

Ndërsa drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka thënë se parregullsitë dhe sfidat që kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë duhet të adresohen përmes një reforme zgjedhore të organizuar nga partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës.

“Ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve që është momentumi më i mirë politik duke pasur parasysh që ne i kemi përfunduar dy palë zgjedhje në vitin e kaluar dhe vlerësojmë që deri në kalendarin zgjedhor së paku edhe për tre vite nuk duhet të ketë zgjedhje, atëherë do të ishte momentumi më i mirë politik që të fillojmë me reformë zgjedhore e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe mos të merr vetëm segmente të caktuara të cilat mund të shkojnë në favor te një subjekti politik”, ka thënë ai.

E drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, përveç nevojës për reformë zgjedhore ka përmendur edhe çështjen e financimit të partive politike.

 “Mendoj që është ABC-ja e demokracisë dhe zgjedhjeve është çështja e financimit të partive politike dhe më tepër se si partitë politike i deklarojnë dhe nga i marrin financat dhe mënyrën se si i shpenzojnë. Nëse partitë politike në esencë nuk janë transparente në mënyrën se si financohen dhe mënyrën se si i shpenzojnë ato financa që i kanë atëherë qysh mund të presim që ato kur te vijnë në pushtet kanë me qenë transparente në menaxhim të buxhetit të shtetit apo te komunave të caktuara”, ka thënë Demhasaj.

Ai ka thënë se ligji për financim të partive politike duhet të rishikohet së bashku me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.

Sipas tij KQZ duhet të bëjë monitorim për mënyrën si financohen partitë politike dhe si i shpenzojnë ato paratë.

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë se zgjedhjet e vitit 2010 kanë qenë më të këqijat pasi u akuzuan 1500 persona për vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

“Dua të promovojë rrugëtimin si prokurori e shtetit në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën. Në vitin 2013 rrugëtimi i prokurorit është shikuar me një sy kritik. Qëllimi i prokurorit të aso kohe ka krijuar projektin e vetëm mbrojtjen e votës. Falë këtij memorandum bashkëpunimi duke filluar nga KQZ dhe Prokuroi i Shtetit në një farë mënyre i dha kuptim proceseve zgjedhore që të bashkërendojnë për një proces zgjedhor të mirëfillte. Në vitin 2010 konsiderohen të jenë zgjedhjet më të këqija prokurori ka akuzuar 1500 persona për vepra penale. Në zgjedhjet e fundit kemi vetëm 10 raste.  Tani prokurori ka ndërtuar një praktikë të mirë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke u bazuar në ligje dhe memorandum bashkëpunimi. Kemi arritur të jemi shtete të cilat realizojnë zgjedhje parlamentare me të drejtë”, tha ajo.

Të ngjashme