Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar në lidhje me Kartonin e Gjelbër, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë.
Faton Topalli, si parashtrues i këtij debati, ka thënë se Kosova ka përmbushur 3 kushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Byronë e Sigurimeve Evropiane, por që, sipas tij, po kërkohet të zvogëlohet numri i automjeteve të paregjistruara dhe u tha se problem është mosanëtarësimi i Kosovës në OKB, por sipas Topallit, kjo nuk qëndron.
“Pse Kosova nuk ka Kartonin e Gjelbër? Në vitin 2001-2002 UNMIK-u bëri përpjekje por kjo nuk u firmos, deri në vitin 2010 nuk pati përpjekje nga institucionet e Kosovës për anëtarësim në Byron e Sigurimeve. Të dy kryeministat e fundit, Hashim Thaçi dhe Isa Muatafa, premtuan që do zgjidhin këtë problem, por nuk ndodhi, shpresojmë që kryeministri Haradinaj ta zgjedhë këtë problem”.
“Kuvendi i Kosovës nuk u tregua i interesuar për të zgjedhur këtë problem. Kosova ka plotësuar tri kushte për t’u anëtarësuar në Byronë e Sigurimeve Evropiane: bazën ligjore, fondin rezervë prej 4 milionësh, ka hapur byronë e sigurimeve. Por thuhet nga Byroja Kosovare se Kosova duhet të plotësojë edhe dy kushte: për zvogëlimin e numrit të automjeteve të paregjistruara dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB thuhet se paraqet problem, por kjo nuk qëndron pasi që Byroja e Sigurimeve Evropiane nuk është nën umbrellën e OKB-së”.
Sipas Topallit, për ta zgjidhur këtë çështje nevojitet angazhim i qeverisë dhe institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Lumir Abdixhiku, në emër të GP të LDK-së, ka theksuar se në rezolutë do kërkojnë nga MPB-ja që numri i veturave të paregjistruara të zvogëlohet nga 20% në 5% brenda 3 muajsh që, sipas tij, kjo po paraqet problem në mosanëtarësimin e Kosovës në Byronë e Sigurimeve Evropiane.
“Për arsye krejt të pashpjegueshme nuk ka arritë të marrë zgjidhje qe dy dekada kjo çështje. Për 15 vite diasporës iu janë shitur 131 milionë euro polisa kufitare, dhe dëmet e paguara për këto polisa kanë qenë vetëm 11 milionë, ka diferenca 120 milionë euro, fitim i bërë mbi paratë e diasporës”.
“Ka vetura të institucioneve të Kosovës që nuk janë të regjistruara. Në rekomandime do kërkojmë që MPB-ja brenda 3 muajsh të zgjedhë problemin e këtyre veturave nga 20% ta sjellë në 5%”.
Mergim Lushtaku, në emër të GP të PDK-së, tha se kanë punuar në zgjidhjen e problemit për Kartonin e Gjelbër, raporton EO.
“PDK-ja ka punuar në zgjidhjen e problemit për Kartonin e Gjelbër. Përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Byrosë ka qenë një rrugë e gjatë. MPJ, MPB dhe zyrës së Bashkimit Evropian të kërkojnë kritere që Kosova duhet të plotësojë për t’u anëtarësuar në këto institucione”.
“Ne ata nuk i shohim si qytetarë apo kontribues në Kosovë që po e mbajnë gjallë sektorin e konsumit dhe ndërtimit. Është e pakuptimtë që fjala e parë që u thuhet qytetarëve tanë është shko paguaje Kartonin e Gjelbër të automjetit. Askush nuk i pyet për sigurimin shëndetësor të tyre apo fëmijëve të tyre. Pra më e rëndësishme është të sigurohet vetura sesa jeta. Mjaft i vjelëm ata gati 8 milionë euro në çdo vit”, tha Sali Salihu në emër të PSD-së.
Bilall Sherifi në emër të GP të Nismës, propozoi që veturave të paregjistruara t’u merren targat, raporton EO.
“Kemi një numër të madh të veturave të paregjistruara. A di dikush të më tregojë si nxjerret kjo statistikë. Çdo veturë që del në komunikacion nuk do të thotë që janë të paregjistruara të gjitha. Duhet të bëhet një praktikë që në momentin kur nuk regjistrohet një veturë të ju merren targat si në vende të tjera të Evropës e jo të mbajnë ato targa edhe pa regjistruar veturën”.