Një grup i shoqërisë civile ka bërë thirrje që të anulohet procesi rekrutues për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, për shkak të paligjshmërisë dhe të shkeljes së parimeve.
Nëpërmjet një reagimi publik të hënën, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) thanë se konkursi i shpallur është në kundërshtim me kërkesat e përgjithshme formale për nivelin e arsimimit të kërkuar.
“Nga analiza e bërë konkursit të shpallur është vërejtur që ky konkurs është në kundërshtim me kërkesat e përgjithshme formale sa i përket arsimimit të kërkuar. Kjo për faktin që Rregullorja shprehimisht thekson se niveli i arsimimit duhet të jetë Diplomë/a e arsimit të lartë me së paku 4 vite të studimeve, ndërsa në konkurs është vetëm ‘diplomë e studimeve universitare ose ekuivalente me to…’, gjë që nuk i përjashton nga përzgjedhja edhe kandidatët që kanë bachelor me 3 vite studimi”, thuhet në komunikatë.
Organizatat thanë se shkelje edhe më serioze është çështja e përvojës së punës, ku sipas Rregullores, kërkohen të paktën 8 vjet punë profesionale, e në konkurs kriteri është zvogëluar për së paku 5 vjet.
“Mospërmbushja e kërkesave të përgjithshme formale sa i përket arsimit të kërkuar dhe përvojës së punës ëstë shkelje e rëndë e cila e bën të paligjshëm të gjithë konkursin dhe procesin, i cili supozohet të zhvillohet në bazë të tij”, thuhet tutje në reagim.
Ambasada e Britanisë në Kosovë ka thënë se janë të shqetësuar për situatën në lidhje me emërimet e larta në Ndërmarrjet Publike qendrore dhe lokale.
“Partnerët tanë të OJQ-ve kanë reaguar dhe kanë ngritur me ne tri raste specifike që mund të shkelin ligjin. Ka raste të tjera shqetësuese, duke përfshirë ato në proceset e vazhdueshme të rekrutimit. Presim që Qeveria në nivel qendror dhe lokal të përgjigjet dhe të rikonfirmojë përkushtimin e saj ndaj emërimeve të cilat e mbajnë politikën jashtë institucioneve publike”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebok.