Me arsyetimin se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë ndaj Bledar Elshanit, nuk do të këtë efekt parandalues tek ai dhe tek të tjerët, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po kërkon nga Gjykata e Apelit që atij t’i ashpërsohet dënimi.
Në anën tjetër, mbrojtja e Elshanit po vlerëson se edhe me një më dënim më të butë, do të arrihet qëllimi i dënimit, andaj avokati Isak Hoxha, po kërkon nga Apeli që klientit të tij t’i zbutet dënimi.
Ankesa e PSRK-së dhe ajo e avokatit Hoxha janë shqyrtuar, të hënën, nga një kolegj i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Vaton Dërguti, Burim Ademi dhe Kreshnik Radoniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bledar Elshani akuzohej se kishte propaganduar për organizatën e shpallur si terroriste “ISIS”, si dhe kishte postuar fotografi me përmbajtje kërcënuese për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.
Lidhur me këto akuza, Elshani e kishte pranuar fajësinë, me ç’rast, më 20 shkurt 2019, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishte dënuar atë me 20 muaj burg.
Për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, ai ishte dënuar me 18 muaj burg, derisa për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me katër muaj burg, kurse më pas ndaj tij, ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 20 muajsh burgim.
Në këtë dënim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 11 janari 2019, e derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.
Gjithashtu, Elshanit i ishte konfiskuar edhe një telefon “Iphone 6”, një thikë, si dhe një USB.
Por, me lartësinë e dënimit të shqiptuar ka mbetur e pakënaqur PSRK-ja, sipas së cilës, po të ishin vlerësuar më mirë rrethanat rënduese, veçmas shqetësimi që sipas PSRK-së ka shkaktuar i akuzuari tek qytetarët, atëherë edhe dënimi në këtë rast do duhej të ishte më i lartë.
Sipas kësaj ankese, kur merren parasysh lartësia maksimale e dënimeve që ka paraparë Kodi Penal për këto vepra penale, atëherë sipas prokurorisë, në asnjë mënyrë nuk argumentohet dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë, i cili sipas organit të akuzës, nuk do të ketë efekt parandalues.
E mos vlerësim të duhur të rrethanave lehtësuese nga shkalla e parë, është një ndër pretendimet që mbrojtja e Elshanit ka paraqitur në ankesën e saj drejtuar Apelit.
Sipas kësaj ankese, rrethana lehtësuese të cilat duhet të merren parasysh për Elshanin janë fakti se ai ka qenë bashkëpunues me gjykatën, është penduar dhe se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë tjetër penale, pastaj fakti se është i moshës së re, rrjedh nga një familje e mirë dhe se nuk ka qenë person problematik.
“I mbrojturi tim sot mbush 10 muaj në paraburgim prandaj dënimi i shqiptuar prej 18 muaj është tepër i rëndë për të, duke pas parasysh edhe moshën, faktin se nuk ka qenë i dënuar më parë dhe është penduar”, tha avokati Hoxha në fjalën e tij.
Po ashtu, Hoxha tha se dënimi prej katër muaj për armëmbajtje pa leje për Elshanin dhe atë të një thikë prej 20 cm, është një praktikë të cilën nuk e ka parë më herë nga gjykatat në Kosovë.
“Kërkoj që të ulet dënimi për pikën e parë nën minimum ligjor, kurse për armëmbajtje të shqiptohet gjobë”, ishte propozimi i avokatit Hoxha për kolegjin e Apelit.
I akuzuari Elshani, i cili u soll në gjykatë nga paraburgimi, tha se kërkon falje për veprën që kishte kryer, duke shtuar se nuk e kishte ditur se është vepër penale postimi i një fotografie në internet.
“Desha me shtu se nuk e kom e ditë që nëse e postoj një foto në internet është vepër penale, kjo ka ardh nga padija. Kërkoj falje”, tha Elshani.
E lidhur me këto ankesa të palëve, është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka propozuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet si e bazuar kurse ajo e mbrojtjes të hudhet poshtë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bledar Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e “Shtetit Islamik”.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar 2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrim “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, Elshani, ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 141 i KPRK-së.
Gjithashtu, ai akuzohet se më 11 janar 2019, në Drenas, në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bartur në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.
Me këto veprime Elshani, akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndryshe, kallëzimi penal kundër të pandehurit Bledar Elshanit ishte ngritur nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës.
Sipas kallëzimit penal, e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizojë strukturat themelore politike e Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Prishtinë, kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit ku i ishte sekuestruar një “Iphone 6”, pasi që i ishte gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.
Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 janar të këtij viti, personit në fjalë i kishte caktuar masën e paraburgimit.