Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), ka kërkuar që autoritetet e Rusisë të zhvillojnë hetime për raportn në media se 27 vetë janë ekzekutuar nga forcat e sigurisë së republikës ruse të Çeçenisë, në muajin janar.
“Forcat e sigurisë nuk mund të lejohen që të vazhdojnë me torturë dhe vrasje, thjesht vetëm se ata e bartin shenjën e shtetit”, tha Denis Krivoshev, zëvendësdrejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.
E përditshmja e pavarur në Rusi, Novaya Gazeta, ka raportuar dje se burime të paidentifikuara i kanë dhënë shënime gazetës me emrat e viktimave të dyshuara, ndërsa reporterët nuk kanë mundur ta gjejnë vendndodhjen e asnjërit prej tyre.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se Moska e ka parë raportin dhe “e ka atë parasysh, e po ashtu edhe deklaratën e agjencive çeçene për zbatimin e ligjit, në të cilën përgënjeshtrohen raportet”.
Mëtutje, zoti Peskov u tha gazetarëve se “burimi i informacionit të gazetës është i paqartë, prandaj nuk mund të them asgjë më tepër tash”.
Raportohet se viktimat e dyshuara të ekzekutimit ishin zënë gjatë një operacioni masiv të sigurisë, që kishte filluar në dhjetor të vitit 2016.