Në Prishtinë u mbajt simpoziumi lidhur me investimet në Kosovë të organizuar nga klubi afarist France Albanie Bussiness në bashkëpunim me klubin frankofon në Kosovë.
Zëvendskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë këtij takimi mes tjerash tha se Kosova ka ecur hapave pozitivë në zhvillimin ekonomik në këto dhjetë vjet të fundit.
Ai gjithashtu shtoi se “tani ne duam që vitin 2019 ta përmbyllim me sigurimin e ulëses në OKB dhe marrëveshjen me Kosovën. Ndërtimin e një shoqërie të re dhe se për qeverinë e Kosovës krijimi i vendeve të punës është prioritet”.
Ndërkohë, ministri i Tregtisë, Endrit Shala, u shpreh se është i interesuar që t’i eliminojnë barrierat që ekzistojnë me Francën, në mënyrë që të funksionojë zhvillimi ekonomik mes dy vendeve.
“Ju inkurajoj që të vini të investoni në Kosovë. Do të jem avokati i juaj, pranë jush që të i aprovoj të gjitha kërkesat tuaja”, deklaroi ai.
Në lidhje me këtë temë foli edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, i cili gjatë këtij simpoziumi u shpreh se Kosova është vendi më i ri i Evropës që e ka zhvilluar klimën më të përshtatshme për investime dhe ka një rritje të lartë të sistemit bankar të qëndrueshëm.