Nga drejtorët për Arsim nëpër komuna kërkohet që të zgjidhen profesionistët dhe jo të emërohen nga partitë.
Kjo kërkesë do t’i dorëzohet të gjitha partive politike që të nënshkruajnë një marrëveshje parazgjedhore, ku do të pranonin që drejtoritë për arsim nëpër komuna të zgjedhin vetëm njerëzit profesionalë, jo ata partiakë.
Pas rezultateve të dobëta të nxënësve kosovarë sipas testit PISA -Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) që treguan se nga 72 vendet pjesëmarrëse, Kosova radhitet ndër tre vendet më të dobëta, kjo kërkesë do t’i dorëzohet Ministrisë së Arsimit, si dhe Këshillit Shtetëror për Licencim.
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë për “Zërin” se në biseda me Ministrinë e Arsimit janë pajtuar të dy palët se “politizimi i shkollave po pengon ngritjen e cilësisë”.
Ai ka thënë se SBASHK-u do t’i drejtohet MASHT-it dhe Këshillit Shtetëror për Licencim me idenë që gjatë vitit 2017, që është edhe vit i zgjedhjeve për qeverinë lokale, të mendohet një konsensus politik në shërbim të arsimit.
“Kjo nënkupton që drejtoritë arsimore nëpër komuna të mos zgjidhen me çelësin politik të fituesit në zgjedhje, por që kjo drejtori të jetë e përbërë nga njerëz profesionalë të arsimit, të cilët edhe do t’i vizitonin shkollat dhe do ta përcillnin performancën e mësimdhënësve gjatë orëve të mësimit”, ka thënë Jasharaj për gazetën.
Secila komunë, sipas tij, ka njerëz me tituj që janë të dëshmuar në lëndën e vet dhe ata mund të jenë pjesë e DKA-së dhe jo njerëz që i dërgon politika.