Grupi Parlamentar i Deputetëve të Pavarur ka organizuar tryezën e diskutimit me temë “Luftimi i korrupsionit synim yni apo kusht për liberalizim të vizave”.
Shqipe Pantina, deputete e Grupit të Pavarur tha se kanë inicuar një kërkesë për debat parlamentar në Kuvend, ku do të diskutojnë për luftimin e korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
“Para debatit parlamentar ne kemi vendosë me dëgju mendime nga Shoqëria civile dhe persona që kanë qenë më afër kësaj teme. Përderisa shoqëritë normale luftën kundër korrupsionit e kanë parim të përgjithshëm, te ne kjo temë konsiderohet e rëndësishme vetëm nëse bëhet kusht. Ndërkaq Luftën kundër korrupsionit e shohim parim kryesor”, tha ajo.
Visar Ymeri, deputet i Grupit të Pavarur, tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohen problemet lidhur me luftën kundër korrupsionit.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çka është korrupsioni, sepse duke parë bisedat e përgjithshme, jo rrallëherë flitet për korrupsion. Më së shumti që flitet për korrupsion është keqpërdorimi i pozitave zyrtare. Çka bëhet me vendime që merren nga një post publik dhe që i shërbejnë një grupi të caktuar dhe jo shoqërisë. Në Kosovë ka një gamë të gjerë të vendimeve të tilla dhe asnjëherë nuk përmenden sa duhet. Këtu bëhet ikje graduale e institucioneve nga përgjegjësia. Përherë e më shumë kemi vendime që nuk janë transparente”, tha ai.
Florent Spahiu, këshilltar ligjor në KDI, tha se në luftën kundër korrupsionit do të duhej që lufta të fillonte nga institucionet.
“Do të duhej të bëhej krijimi i mekanizmave kontrollues dhe detyrimi i atyre mekanizmave me funksionu. Rasti i parë që kisha dashtë me përmend është që zyrtarët e lartë që janë të akuzuar për korrupsion mos me qenë në institucione më. Gjithashtu do të duhej që partitë politike të paraqesin raportin financiar dhe jo të deklarojnë vetëm të hyrat qe i marrin nga Kuvendi i Kosovës por edhe nga donacionet e ndryshme. Do të doja gjithashtu të jenë sa më të zëshëm në ndërmarrjet publike që ata të jenë më transparentë, do të duhej të kishte lehtësim të qasjes në dokumente zyrtare”, tha ai.
Labinot Leposhtica, udhëheqës i zyrës ligjore në BIRN, tha se luftimi i korrupsionit nuk duhej të ishte kriter për të fituar diçka tjetër, mirëpo do të duhej të ishte parim kryesor.
“Në raportin të cilin e kemi përgatitur, kemi parë që nga 39 raste kemi 3 raste kur të akuzuarit kanë qenë avokatë publikë dhe të privatizuar, dhe në këto 39 raste nuk janë të shënuar rastet e aferës Pronto dhe as rasti i ish-deputetit i cili u akuzua për viza. Nuk kemi një koordinim të duhur të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial”, tha ai.
Genc Nimani nga Organizata Çohu tha se në gjykata mungon ndjekja e profileve të larta.
“Nga viti 2015 e deri tash kemi më shumë zgjidhje të rasteve të korrupsionit, d.m.th. kemi trend pozitiv. Mirëpo shqetësuese mbetet zgjidhja e këtyre rasteve. Ajo që kemi identifiku ne është se mungon ndjekja e profileve të larta. Kjo dihet edhe me faktin se aktakuzat janë të dobëta nga ana e prokurorisë. Është rasti i Lutfi Hazirit, kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri. Kjo i bjen që nuk kemi aktakuzë kualitative. Kjo bëhet për dy arsye sepse prokurorët janë të dobët dhe tjetra është se nuk dojnë me i persekutu disa njerëz”, tha ai.