Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e edicionit të 17-të të panairit të produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse ”Prishtina 2018”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, fokusi i së cilit është promovimi i produkteve kosovare nga kompani të ndryshe, prej të cilave 36 kompani nga Kosova dhe një nga Italia.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se është këtu për të inkurajuar krijimin e lidhjeve biznesore mes ndërmarrjeve të mëdha, të mesme, por edhe të vogla, për të promovuar produktet vendore.
“Qëllimi ynë është zvogëlimi i importit ose zëvendësimin e produkteve nga importi në produkte në prodhimit vendor”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se me implementimin e politikave të reja fiskale të Qeverisë së Kosovës, është inkurajuar rritja e ndërmarrjeve të sektorit të prodhimit dhe të sektorit të informacionit.
Kryeministri Haradinaj tha se taksa e vendosur prej 100 për qind për produktet serbe dhe atyre të Bosnjës, nuk duhet të shihet si rast për të përfituar nga ngritja e çmimeve, por për të rritur prodhimin dhe cilësinë.
“Edhe pse ende në fillim, taksa ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendor”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se këto zhvillime duhet të sjellin edhe rritjen e bruto produktit vendor, rritjen e numrit të të punësuarve dhe njëkohësisht kompensohet tatimi që e humb buxheti i Kosovës me zvogëlimin e importit nga Serbia dhe Bosnja.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj CEFTA-s, por vetëm si palë e barabartë dhe ndihet i lumtur që Qeveria ka përmbushur obligimet e saj që ndërlidhen me protokollin e 5 të CEFTA-s dhe ka reflektuar pozitivisht marrëveshjen që ndërlidhet me protokollin 6.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kjo ditë e ka një rëndësi të veçantë për shkak të një momentumi të ri që është krijuar, ku ka një ngritje të vetëdijes për potencialin e ekonomisë tonë dhe se këto ditë do ta shfaqin potencialin e ekonomisë që është zhvilluar me shumë mund.
“Këtë vit e ka një rëndësi të veçantë për shkak të një momentumi të ri që është krijuar, për shkak të ngritjes së vetëdijes për potencialin e ekonomisë tonë. Këto ditë do ta shfaqim potencialin e ekonomisë që e kemi zhvillu me shumë mund. Mirëpo me potencialin e të gjithë akterëve, ne edhe do të avancojmë normalisht duke pas një fokus të veçantë tek prodhimi dhe eksporti. Qëllimi tjetër është që të tregojmë që ka një potencial që të mos jemi të varur nga vendet nga ku kemi importu shpesh herë edhe pa ndonjë arsye ekonomike”, tha Rukiqi.
Endrit shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se janë duke punuar për ta ngritur cilësinë, teksa ka ftuar të gjitha bizneset të ngrisin cilësinë dhe të hapin perspektiva për qytetarët, raporton Ekonomia Online.
“Ju ftoj ti shfrytëzoni poteancialet në shërbim të qytetarëve për hapje të perspektivës për ta dhe zhvillimin kosovar. Vlerat tuaja, veçoritë e secilit prodhim, na bëjnë që produktin “Made in Kosova” ta kemi të përbashkët. Në kuadër të kësaj jeni duke punuar për të siguruar treg jashtë vendit”, tha ai.
Ministri Shala tha se për vitin e ardhshëm janë paraparë 14 panaire.
“Për vitin e ardhshëm janë paraparë 14 panaire, kjo është mundësi e jashtëzakonshme për ju, ju ftoj ta shfrytëzoni këtë mundësi. Një nga qëllimet e mia është ngritja e cilësisë, ne jemi duke bërë shumë për kontroll të tregut, prandaj investoni në cilësi ne do jemi aty. Ejani ta duam të gjithë tonën”, ka porositur Shala.
Bekim Selmani, menaxher i shitjes në kompaninë “Liri”, ka thënë se ka rritje të vazhdueshme të shitjes së produkteve të “Lirit” që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet serbe, ndërsa ka thënë se keksat “Sempre” tashmë janë bërë symbol i produkteve vendore.
“Kemi rritje të vazhdueshme të produkteve tona, është edhe një mundësi që pak a shumë populli jonë të vetëdijësohet, t’i inkurajojmë popullin që të përdorë produkte vendore, që t’i konsumoj produktet vendore, që t’u tregojmë edhe ne njerëzve që kemi cilësi, kemi kualitet, që mund të konkurojmë edhe me tregun evropian”.
“Sempre është bë edhe si simbol i produkteve vendore”.
Zinetije Beqiri, pronare e ushqimeve tradicionale “Nana”, ka thënë se mirëpret thirrjen e ministrit Shala për cilësinë e produkteve, ndërsa ka thënë se për të parësore është cilësia.
“Në rend të parë i kushtojmë rëndësi cilësisë, cilësi me pasë, pastërtia duhet të jetë në nivel dhe prej këtij produkti pres që të promovohen jo vetëm produktet e mia por edhe prodhuesvë të tjerë”.
“Unë plotësisht e përkrahi dhe jam ithtare e këtij vendimi që është marrë nga ministria, dhashtë Zoti e zgjatë më tepër”.