Kërkohet që Edukimi Medial të vendoset si lëndë obligative në shkollat e Kosovës

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Lënda e Edukimit Medial, po gjen zbatim si lëndë zgjedhore vetëm në disa shkolla të arsimit parauniversitar në Kosovë. Ndonëse, ka vite që po kërkohet që kjo lëndë të jetë edhe obligative.

Duke pasur parasysh që konsumues të përmbajtjeve të mediave online janë të gjithë, përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm të fëmijëve – shihet nevojë e madhe që Edukimi Medial, të jetë i pranishëm në secilën shkollë të Kosovës.

Profesori i gazetarisë në Universiteti të Prishtinës, Muhamet Jahiri konsideron se lënda e Edukimit Medial duhet të jetë mekanizëm mbrojtës, i cili i përgatit të rinjtë për t’u mbrojtur nga anët negative që zhvillohen në botën virtuale.

“Edukimi për media i cili do të mësohej në shkolla, do të ishte edhe elementi kryesor i cili i zhvillon në tjetër nivel mendimin kritik për media, dhe e mpreh aftësinë për ta dalluar mënyrën se si ndikojnë përmbajtjet mediale në pikëpamjet tona”, ka thënë Jahiri për Insajderin.

Në lidhje me nevojën që Edukimi Medial të jetë pjesë e planprogrameve të secilës shkollë fillore e të mesme, Insajderi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit.

Të njëjtit kanë thënë se zgjedhja e kësaj lënde varet nga dëshira e nxënësve e shkollave. MASHT-i nuk po e sheh të arsyeshme që kjo lëndë të jetë obligative.

“…Sa i përket integrimit të lëndës së Edukimit Medial në shkolla, siç e dini kjo çështje është në kuadër të lëndëve zgjedhore për të cilën vendosin vet shkollat. Edukimi medial praktikohet si lëndë zgjedhore në disa shkolla të Kosovës. Pra, përzgjedhja e lëndës zgjedhore bëhet pa imponim nga MASHTI, por me vet dëshirë të nxënësve dhe shkollave”, kanë thënë për Insajderin nga Ministria e Arsimit.

Më tej, nga Ministria kanë deklaruar se pasi që edukimi medial ka rëndësi të veçantë për nxënësit dhe shoqërinë, kësaj lënde i është dhënë hapësirë tek çështjet ndërkurrikulare, ku të gjithë mësimdhënësit e të gjitha fushave dhe lëndëve është mirë ta trajtojnë.

Profesori i gazetarisë foli edhe për atë se cilat mund të jenë sfidat dhe pasojat që e presin Kosovën nëse Edukimi Medial vazhdon të neglizhohet nga Ministria e Arsimit, që të mos jetë si lëndë obligative nëpër shkolla.

“Pasojat në të ardhmen mund të jenë edhe më të larta, sepse teknologjia dhe mënyra e jetës gjithnjë e më tepër po shkon drejt një hapësire të përbashkët virtuale dhe aty ka shumë çështje dhe situata që ne mund t’ia dalim mbarë, vetëm nëse kemi përgatitje për përdorimin e atyre platformave dhe medieve të reja që do të vijnë”, ka thënë Jahiri.

1 mijë e 600 mësimdhënës janë trajnuar për edukim medial

Deri tani, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës janë trajnuar mbi 1 mijë e 600 mësimdhënës nga e gjithë Kosova. Jahiri ka cekur edhe kuadrot që do të mund të ishin ligjërues të Edukimit Medial.

“Kuadrot e para që do të mund të kontribuonin në këtë drejtim do të ishin të diplomuarit në fushën e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit. Ndërsa në një fazë të dytë do të duhej të themelohet një program i përbashkët i Departamentit të Gazetarisë me Fakultetin e Edukimit për të jetësuar një program konkret që do të ndërlidhej me fushën e pedagogjisë dhe edukimit medial”, ka deklaruar ai.

Sipas profesorit, Edukimi medial i publikut do të ishte zgjedhja më e mirë për vetëdijesimin e publikut në raport me lajmet e rreme.

Koncepti i parë për lëndën e Edukimin medial është shfaqur para një dekade (2011), nga stafi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ku Ministrisë së Arsimit i ishte prezantuar ideja e domosdoshmërinë që Edukimi medial të përfshihet në kurrikulat e nivelit parauniversitar.

Theksojmë se, lënda e Edukimi medial në vendet më të zhvilluara perëndimore është pjesë e planprogrameve nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, ndërkaq, në vitet e fundit, shtetet si Franca, këtë lëndë po e praktikojnë edhe me fëmijët në nivelin parashkollorë dhe në kopshte.

Të ngjashme