Kërkohet që rentat minerale të mbledhur nga KPMM-ja 20% t’i ndahet komunës ku vepron

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 11:41 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Raportin me Rekomandime për Projektligjin për Miniera dhe Minerale.

Sala Berisha-Shala, nga PDK-ja, prezantoi rekomandimet e marra nga Komisioni për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për Miniera dhe Minerale, raporton Ekonomia Online.

“Sipas procedurës Komisioni e ka kryer punën e vet e ka miratuar, Komisioni gjatë shqyrtimit të projektligjit nga ana e komisionit për Buxhet dhe Financa kemi marrë disa rekomandime. Pagat dhe shtesat e KPMM caktohen në pajtueshmëri me ligjin në bazë të nëpunëseve civil”.

Të gjithë ishin për, për këtë amendament i dërguar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

“Amendamenti tjetër i Komisionit për Zhvillim Ekonomik: Rentat minerale të mbledhur nga KPMM, 20% nga buxheti qendror i ndahet buxhetit të komunës ku zhvillohet veprimtaria”, por Komisioni për Buxhet dhe Financa ka refuzuar një gjë të tillë.

Por me këtë amendament që 20% të buxhetit qendror që fitohet nga rentat t’i ndahet komunave nuk u pajtua deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo tha se një dispozitë e tillë është në kundërshtim me ligjin.

“Nëse kemi një ligj për Obiliqin dhe Trepçën me fut tash në Ligjin për Miniera dhe Minerale që secila komunë me pas të drejtën e tantiemës. Ka plot organizata buxhetore që i sjellim të hyra buxhetit”, tha ajo.

Edhe Mimoza Kusari-Lila, nga Alternativa ishte që të qëndronte amendamenti i komisionit funksional që prej rentave minerare të mbledhura 20% e buxhetit qendror t’i ndahet komunës, raporton EO.

“Ne duhet të gjejmë zgjidhje që komunat me mbledhje minerare me pas buxhet shtesë, ndahet ky buxhet në ato komuna ku ka aktivitet minerar”.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik vendosi që Propozimet e komisionit për Buxhet dhe Financa për tantiemën që 20% e buxhetit qendror t’i dërgohet komunës, si amendament përcillet për në seancë pa përkrahje të komisionit.

Në përgjithësi raporti i Projektligjit për Miniera dhe Minerale kaloi, u votua me 5 kundër 1 kundër asnjë abstenim.

Të ngjashme