Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të enjte rekursin e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, duke lënë në fuqi dënimin për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Gjici kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Apelit të Posaçëm të vitit të kaluar, ku ishte shpallur fajtor për këto vepra penale, por gjykata më e lartë konfirmoi vendimin e mëparshëm.
Sjellim ndërmend se ish-kryebashkiaku u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, duke përfituar ulje me 3 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa A.K, e cila po gjykohet për të njëjtën çështje, u dënua me 1 vit e 6 muaj për korrupsion aktiv.
Dënimi lidhet me aferën seksuale të zhvilluar në zyrën e Bashkisë Kukës, ku Gjici premtonte mbështetje financiare për një projekt rehabilitimi për qentë, siç u dokumentua edhe nga një video që u bë publike në rrjetet sociale.
Safet Gjici qëndroi 23 muaj në burg dhe u lirua në maj të këtij viti për arsye shëndetësore, duke vazhduar të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në arrest shtëpiak.