Avokati Kujtim Kërveshi ka thënë në RAPORT të KTV-së se shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, për shkak të normës që siguron shifra e jo cilësi, janë të detyruar që edhe jashtë rrethanave të pandemisë të veprojnë. Ka shtuar se ka tendencë për të hyrë në rreth vicioz.
Ai e ka përmendur një rast.
“Një kryesuese e një dege të gjykatës në Kosovë, të cilën vazhdoj ta mbroj, është akuzuar për një vepër penale. E njëjta ka tentuar ta arrijë normën, ka marrë lëndë në shtëpi. Disa kopje janë gjetur në një stufë të tjetër, që është përdorur për ta ndezur zjarrin. Realiteti është që në Kosovë, gjyqtarët dhe prokurorët për ta mbërritur një normë që është hipokrike, eksopozon një rrezik që ata detyrohen t’i marrin materialet në shtëpi”, ka thënë ai.
Ai e ka dhënë po ashtu vlerësimin objektiv të tijin rreth menaxhimit të pandemisë nga dy dy këshillat.
“Të dy këshillat kanë mundur të ndërmarrin veprime profesionale për të iniciuar nisma shtesë. Por ato kanë gjetur zgjidhjen më të thjeshtë, sepse s’kanë pasur zotësi të dalin me propozime tjera. Për mua është e habitshme se si 15 vjet pas një pavarësie funksionale të siguruar me akte normative, këshillat kanë tendencë të shikojnë se çfarë ndodh nga dega ekzekutive. Këshillat s’kanë pse presin organet ekzekutive”, ka thënë ai.
Sipas Kërveshit, mbase në fillim, nga paniku, nuk ka pasur ndonjë zgjidhje më të mirë.
“Dy muaj e gjysmë s’ka lëvizje dhe kjo është shqetësuese, për faktin se pasojat janë të panjohura aktualisht, por do të bëhen të njohura me kohë”, ka thënë ai.