KES të përfshihet në negocimin e Kontratës Kolektive dhe pagës minimale

Prishtinë | 31 Tet 2017 | 12:38 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja “Fol” ka organizuar një diskutim me studentë me temën “Dialogu social: Si të përfshijmë rininë në dialog dhe çfarë ka bërë Këshilli Ekonomik Social (KES) në këtë drejtim”.

Me këtë rast janë dhënë disa rekomandime për Këshillin Ekonomik Social, si përmirësimi i dialogut social dhe përfshirja e tij në negocimin e Kontratës Kolektive, si dhe përcaktimin e pagës minimale.

Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) tha se që nga viti 2013,
kjo organizatë e ka fushë prioritare dialogun social.

“Edhe pas kaq vitesh shtet, Kosova është një ndër më të varfrat në botë dhe me një papunësi të madhe”, tha ajo.

Sipas hulumtimeve të IKS-it, ikja jashtë vendit është zgjidhja e fundit që rinia e mendon, në të shumtën e rasteve. “Së pari ata synojnë një punë brenda Kosovës nga 200-300 euro. Ndërsa ikja nga vendi është zgjidhja e fundit që ata e mendojnë”.

Hoxha theksoi se aktualisht në Kosovë, çdo i larguar nga puna mund të zëvendësohet lehtësisht. “Dhe kjo i jep të drejt punëdhënësit që sillet si të dojë me punëtorët”.

Ajo theksoi se dialogu trepalësh social Qeveri-Sindikata-Punëdhënës social është shumë i rëndësishëm.

“Këshilli Ekonomik Social ka të drejtë të negociojë Kontratën Kolektive si dhe pagën minimale”, u shpreh Hoxha.

Sipas saj, organizimi sindikal, sidomos në sektorin privat, paraqet një problem të madh dhe kjo e bënë dialogimin shumë të vështirë.

Rashit Mehmeti, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), anëtar në KES, tha se ky këshill nuk është i mbyllur vetëm brenda vendit. “Ne marrim shumë modele nga shtetet përreth, por edhe nga Evropa”.

“Sindikata merret edhe me të drejtat e përvojës, ku është edhe shkelja më e madhe. Ne jemi marrë edhe me pagën minimale. Deri në vitin 2015, anëtarët e KES-it as nuk janë paguar dhe mendoj që aktiviteti pa mjete është i mangët dhe kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse nuk kanë mundur të shtyhen proceset”, u shpreh Mehmeti.

Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN, tregoi se në organizatën e tyre një nga pikat kryesore ku fokusohen është pjesëmarrja e grupeve dhe rritja e kapaciteteve në sfera të ndryshme për të rinjtë.

“Ne kemi projekte ku të rinjtë mësojnë se si të ngrenë zërin e tyre përballë sfidave”, u shpreh Bajraktari.

Të ngjashme