Këshilla për marketingun nga udhëheqës të IT-së

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 21:33 | Nga Ekonomia Online

Katër ekspertë të teknologjisë informative zbulojnë këshillat dhe parashikimet e tyre për të ardhmen e marketingut.

Ndërtimi i rrjetit tuaj është një pjesë e rëndësishme e suksesit tuaj në biznes dhe në jetë. Është e dobishme të keni një grup të kolegëve dhe shokëve të cilëve mund t’iu kërkoni ndihmë rreth biznesit dhe marketingut. Nga konferencat në të cilat flas, Affiliate Summit është e preferuara e imja. Konferencat janë një mënyrë e shkëlqyer për t’u lidhur me profesionistët tjerë, për të mësuar dhe për të gjetur zgjidhje për nevojat e klientëve të mi. Këtë vit në Affiliate Summit East, unë intervistova katër ekspertë të teknologjisë, njëri prej të cilëve është bashkë-themeluesi i kësaj ngjarje, për të kuptuar këshillat e tyre më të mira rreth biznesit dhe marketingut.

Tre nga ekspertët u shprehën se ndjeheshin se marketingu duhet të përfshijë një element personal. Lidhja me konsumatorët në një nivel më intim është e rëndësishme, por njësoj është edhe lidhja e mesazhit me situatat individuale të audiencës. Gjithashtu, marketingu duhet të jetë shumë i fokusuar.

Kur ndërtoni një kompani, kolegët që zgjedhni për të punuar janë të rëndësishëm për suksesin e biznesit. Zgjedhja e më të mirëve ju ndihmon, por udhëheqja e tyre është gjithashtu një aftësi e rëndësishme të cilën duhet t’a mësoni.

Brandon Gustafson, një asistent i marketingut në Universitetin Oakland, tregoi se gjëja e rëndësishme për suksesin e marketingut është të kuptoni se si të angazhoheni dhe të lidheni me konsumatorët në një nivel personal. ‘’Është gjithmonë mirë të fokusoheni në lëvizjen dhe shitjet, por angazhimi i përgjithshëm dhe lidhja me një konsumator në një nivel më personal do ju ndihmojë të krijoni vlerë më të gjatë të konsumatorit’’, tha Gustafson.

Shawn Collins, bashkë-themeluesi i Affiliate Summit, i këshillon të gjithë të jenë vetvetja pavarësisht se në çfarë janë të përfshirë; nga takimet në fjalimet publike, të jesh vetvetja është mënyra më e mirë për të ndërtuar marrëdhënie të ngurta. Ai theksoi se përsosmëria nuk është e nevojshme. ‘’Vërtetësia është e rëndësishme jo vetëm për një markë personale por edhe për markën e korporatës’’, tha Collins.

Vadim Rogovskiy, themeluesi i Clickky, një ofrues i zgjidhjeve për botuesit, reklamuesit dhe reklamat, ofroi këshilla për kërkimin e njerëzve më të mirë për të punuar me ta dhe për të mësuar se si të udhëheqni. ‘’Ka një nocion se çdo person me të cilin punoni duhet të jetë më i mirë se ju në një zonë specifike’’, tha ai. Përtej kësaj, Rogovskiy thotë se udhëheqësit duhet të prioritizojnë detyrat dhe të inspirojnë ekipet e tyre.

Alex Bornyakov, Kryeshefi Ekzekutiv i Verta Media, një platformë furnizimi për teknologji efikase të reklamave, foli për të ardhmen e marketingut të personalizuar. Ai e di se reklamat tradicionale nuk marrin në konsideratë të gjitha dallimet në njerëz, duke përfshirë kombësinë e tyre, vendndodhjen dhe interesat e tyre. ‘’E ardhmja e marketingut do të jetë në personalizim. Marketingu në të ardhmen do të jetë shumë, shumë i shënjestruar’’, tha ai.

Për mua, avancimi i karrierës tuaj ose ndërtimi i një biznesi ka të bëjë me rrethimin e vetes tuaj me njerëz të motivuar të cilët mund të ndihmojnë njëri tjetrin me dituri dhe përvojë. Përmes të folurit në konferenca dhe në punishte të korporatave, unë kam zgjeruar grupin tim dhe e di se kam pasur fat që e kam rrethuar veten me udhëheqës të shkëlqyer të cilët punojnë shumë.

 (Autorja është një ndërmarrëse, folëse, autore dhe këshilluese e marketingut online. Ajo është themeluesja e agjencisë digjitale Metrony, LLC. Michele ndihmon bizneset dhe markat të përmirësojnë strategjinë e tyre të marketingut online përmes marketingut në media sociale, SEO, marketingut në partneritet dhe reklamave të paguara)

Të ngjashme